Trajneri i Barcelonës ka analizuar ndeshjen ndaj Athletic, të fituar minimalisht në fund, falë golit të një debutuesi 17-vjeçar me fanellën blaugrana, Marc Guiu. Ai ka nxjerrë në pah punën e ekipit të të rinjve. Në lidhje me klasiken e së shtunës së ardhshme bëri këtë prognozë fillestare: “Nuk ka nevojë t’i kushtëzojmë gjyqtarët”.
Xavi Hernández vlerësoi lart paraqitjen e Athletic, por e bëri të qartë që, “nëse dikush e meritonte fitoren, ishte Barça”. Lidhur me lojën e zhvilluar: “Ne humbëm tri ose katër raste të pastra dhe në fund një fëmijë vendas, Marc, bëri diferencën për ne. Kjo më pëlqen edhe më shumë se fitorja.
Nuk e kam problem të shkoj në ‘La Masia’, në situatën tonë duhet bërë. Çuditem që nuk tremben kur luajnë me ekipin e parë, më shikojnë me padurim, më shikojnë me pozitivitet. E pashë atë fytyrë te Fermín, Gavi, Balde, Lamine dhe tani Marc.
Ata janë lojtarë që kanë talent. Iu besoj atyre ashtu siç më besuan mua dikur. Ne po tregohemi të guximshëm. I gjithë klubi duhet ta festojë golin e tij. Është një demonstrim që ekipi i të rinjve po punon shumë mirë.
Ishte e vështirë për ne, sepse kundërshtari shtyu shumë. Ishte një lojë shumë e guximshme nga Athletic. Në pjesën e parë ishte e vështirë për ne, në të dytën ishim më të mirë, duke i sulmuar mirë hapësirat”.
Për Xavi është shumë e rëndësishme të fitojë “El Clasico” e ardhshme dhe të kalojë përpara Real Madridit në klasifikim: “Është një lojë shumë e rëndësishme për ne. Kemi shumë lëndime, le të shohim nëse do t’i rikuperojmë disa titullarë këtë javë. Të luajmë në shtëpi është jetike për ne, duam ta fitojmë këtë ndeshje”.