Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka deklaruar se Aleanca është subjekti i vetëm politik që ka dalë me një qëndrim të qartë sa i përket krijimit të institucioneve të reja, duke theksuar se partia nuk ka vendosur kushte dhe nuk synon poste në qeverinë e ardhshme.
Në emisionin “Rubikon”, Xhemaili tha se kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e kishte bërë të qartë këtë qëndrim që më 26 qershor.
“Aleanca është i vetmi subjekt politik që ka dalë me qëndrim të qartë sa i përket krijimit të institucioneve, pa asnjë kusht vetjak. Vetë kryetari Gjini e ka shprehur këtë më 26 qershor, që nuk synojmë asnjë post në qeverinë e ardhshme”, deklaroi ai.
Xhemaili shtoi se Aleanca ka qenë ndër partitë më aktive në promovimin e projekteve strategjike infrastrukturore. Ai përmendi se partia kishte propozuar projektin e termocentralit “Kosova C” dhe se ka ndjekur vazhdimisht ecurinë e projekteve që, sipas tij, kanë mbetur të bllokuara.
Sipas tij, këto prioritete janë përfshirë edhe në ofertën gjashtëpikëshe të Aleancës, e cila parasheh edhe rritjen e pragut të TVSH-së.
“Në ofertën tonë e kemi edhe rritjen e pragut të TVSH-së. Shumë biznese të vogla dhe të mesme, shumica prej tyre ekonomi familjare, e sigurojnë ekzistencën në bazë të punës së tyre dhe ballafaqohen me bllokada, duke e pasur të vështirë ta përmbyllin muajin”, tha Xhemaili.