Në dialog me programin “De Acá En Más” të drejtuar nga María O’Donnell në radion “Urbana Play”, Claudio Tapia, president i AFA (Federatës Argjentinase të Futbollit), zbuloi një kusht që duhet të plotësohet nga të gjithë lojtarët albicelest për të shkuar në Katar dhe luajtur në Kupën e Botës së këtij fundviti.
Kushti lidhet me mos pasjen e ankesave penale, dënimeve nga drejtësia dhe/ose njolla të dhunës gjinore. Ky argument u përdor nag presidenti kur shpjegoi situatën që po kalon Rodrigo De Paul, mesfushori dhe referenca e kombëtares argjentinase, duke krijuar një trazirë të pavullnetshme para Botërorit.
Tapia tha: “Ata po inicojnë divorcin dhe mbetet të shihet se çfarë do të vendosë drejtësia për alimentacioni (detyrimin financiar mujor karshi fëmijëve). Mendoj se asnjë prind nuk refuzon t’u japë fëmijëve të tij atë që duhet.
Që të shkojë në Katar, një futbollisti të Argjentinës i duhet të mos ketë asnjë ankesë ndaj tij në gjykatë, asnjë dënim në pritje, çështje për dhunë gjinore apo diçka të ngjashme. Kjo është ajo që kuptojmë nga çfarë thotë neni përkatës i rregullores”.
Këto deklarata u keqinterpretuan nga një pjesë e madhe e shtypit, e cila vinte në dyshim praninë e De Paul në Kupën e Botës, sepse mesa duket ai kishte një ankesë të tillë. Mesfushori De Paul është në proces divorci, por kjo nuk ka të bëjë me shkaqet e mundshme, që do ta distanconin ligjërisht nga Botërori i Katarit.
E vetmja situatë që do ta vinte në dyshim praninë e tij në “Katar 2022” është tarifa e mbështetjes së fëmijës. Një proces gjyqësor që është në zhvillim dhe këtë e deklaroi mbrojtja e tij ligjore. Në një prononcim për “Infobae”, Mariana Gallego, përfaqësuesja ligjore e De Paul, sqaroi situatën:
“Çështja penale me dënim me kusht, qartësisht nuk ekziston. Ankesa për dhunë gjinore nuk ekziston, gjithashtu. Diçka për të cilën flitet gjithandej është detyrimi ushqimor, por nuk ekziston as një pretendim i tillë”.
Në këtë situatë të paqartë ishte Camila Homs, ish-bashkëshortja e De Paul, që foli për shtypin dhe tregoi të gjithë mbështetjen e saj për babain e fëmijëve të saj, në një qëndrim shumë të vlerësuar dhe me shumë jehonë në rrjetet sociale:
“Unë shpresoj se çdo gjë do të zgjidhet sa më shpejt. Kurrë nuk do të dëshiroja ose do të doja t’i bëja keq, si të thuash. As nuk do ta pengoja për diçka si Botërori, që e di se është shumë e madhe për të. Shpresojmë që gjërat të rregullohen sa më shpejt. E respektoj dhe e dua, sepse është babai i fëmijëve të mi”.