Miles Bridges, basketbollist i Charlotte Hornets, përballet me tri akuza për dhunë në familje, pasi sulmoi partneren e vet para dy fëmijëve të tyre muajin e kaluar, konfirmoi prokurori i Qarkut të Los Angelos, George Gascon.
Më saktësisht, ndaj basketbollistit janë ngritur akuzat për plagosjen e prindërit të një fëmije, për abuzim të fëmijëve në rrethana ose kushte që mund të shkaktojnë lëndime të rënda trupore ose vdekje.
Sipas deklaratës së prokurorit, rasti përfshin “pretendimin për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor të viktimës së dhunës në familje”. Prokurori vuri në dukje se fëmijët ishin të pranishëm në sulmin e supozuar, por nuk specifikoi pse u shtua akuza për abuzimin e fëmijëve.
“Dhuna në familje krijon trauma fizike, mendore dhe emocionale, çka ka ndikim të qëndrueshëm te të mbijetuarit, – tha Gascon. – Fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës në familje janë veçanërisht të cenueshëm dhe ndikimi mbi ta është i pamatshëm”.
Çështja është se Bridges, i cili u arrestua më 29 qershor nga policia e Los Angelos dhe më pas u lirua me kusht prej garancisë 130.000 dollarë, do të dëshmojë në Gjykatën e Lartë të Qarkut.
Të dyja palët, “Hornets” dhe NBA thanë se ishin në dijeni të akuzave të ngritura kundër Bridges, ndaj dhe vetë liga po hetonte për këtë. “Këto janë akuza shumë të rënda, që ne do të vazhdojmë t’i monitorojmë, – thanë përfaqësues të “Hornets”. – Meqenëse kjo është një çështje ligjore, ne nuk kemi asnjë koment të mëtejshëm për momentin”.
Mychelle Johnson, nëna e dy fëmijëve të vegjël të Bridges, postoi foto të shumta në Instagram më 1 korrik të lëndimeve dhe një raport mjekësor ku shkruhej “viktimë e abuzimit fizik nga partneri mashkull; sulm për mbytje, tronditje; hundë e thyer, frakturë e kockave, kontuzion i brinjëve; mavijosje të shumta; tendosje e muskujve të qafës”.
Ajo nuk e përmendi Bridges me emër, por shkroi në Instagram: “E urrej që ka ardhur deri këtu, por nuk mund të hesht më. E lejova dikë të më shkatërrojë shtëpinë, të më abuzojë në çdo mënyrë dhe të traumatizojë fëmijët tanë përgjithmonë.
Unë nuk kam asgjë për t’i vërtetuar botës, por nuk do të lejoj askënd që mund të bëjë diçka kaq të tmerrshme të mos ketë pendim dhe të japë një imazh të diçkaje që unë nuk jam. Nuk do të lejoj që njerëzit përreth tij të vazhdojnë të më kërkojnë të hesht dhe të gënjej për ta mbrojtur këtë person”.
Departamenti i Policisë së Los Angeles tha në kohën e arrestimit të Bridges se ata nuk i bëjnë publike raportet e dhunës në familje. Rasti mbetet nën hetim nga departamenti i Policisë në Los Angeles.