Golden Eagle Ylli është rikthyer te fitoret, duke mundur Bashkimin me rezultat 75-58 (16:12, 30:15, 11:11, 18:20), në xhiron e 21-të të Prince Caffe Superligës.
Therandasit e nisën për mrekulli ndeshjen me një seri të suksesshme 12:2, megjithatë prizrenasit filluan rikthimin dhe çereku i parë përfundon 16:12.
Në periudhën e dytë u bë dallimi i madh dhe vendimtar në këtë sfidë.
Në këtë pjesë kampionët e Kosovës ishin bindshëm më të mirë (30:15), për të shkuar në pushim me rezultat 46-27.
Perioda e tretë ishte e barabartë, dhe u karakterizua me shumë pak pikë të shënuara, gjithsej 22, nga 11 për të dy skuadrat, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 57:38, shkruan telegrafi.
Në dhjetë minutat e fundit prizrenasit tentuan të bëjnë rikthimin e madh, por vetëm afruan rezultatin në 11 pikë, ndërsa Ylli triumfoi 75-58.
Te therandasit u dallua Gëzim Morina me 23 pikë e shtatë kërcime, ndërsa te prizrenasit u dallua Sandro Samuels me 18 pikë e 12 kërcime.
Golden Eagle Ylli ka 16 fitore e pesë humbje, ndërsa Bashkimi numëron nëntë fitore e 12 humbje.