×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Zbulohet s’e nuk ka takim me Biden, mbetet e fshehtë agjenda tutje e Kurtit. Pse KRYEMINISTRI shkoi në SHBA?

    Insajderi
    11 May 2022 - 16:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    I pari i ekzekutivit nuk dihet se më kë nga figurat e rëndësishme amerikane do të takohet në tokën përtej Atlantikut, meqë tashmë u zbulua se takim me të parin e botës, Joe Biden, nuk do të ketë.

    Gazeta Insajderi

    Zyra e Albin Kurti nuk e ka bërë publike agjendën e udhëtimit të Kryeministrit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    I pari i ekzekutivit nuk dihet se më kë nga figurat e rëndësishme amerikane do të takohet në tokën përtej Atlantikut.

    Gazeta Insajderi është interesuar mbi këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje nga kabineti i shefit të Qeverisë së Kosovës.

    Por, ajo që dihet me saktësi, është se Kryeministri kosovar, Albin Kurti, nuk do të takohet me Presidentin e amerikan, Joe Biden.

    “Ne nuk jemi duke pritë një vizitë nga presidenti i SHBA-së Biden, ai nëse e sheh të rëndësishme e të nevojshme… nuk mundesh me taku presidentin Biden pa një kërkesë për vizitë, edhe pa një qëllim të vizitës, edhe pa ndodh një nevojë e tillë për vizitë”, ka thënë për Tëvë 1, Jeton Zulfaj, këshilltari politik i Kryeministrit, transmeton Gazeta Insajderi.

    Derisa, detaje nuk janë dhënë as mbi ditët e sakta të qëndrimit të Kryeministrit në Amerikë, udhëtim të cilin e ka nisur më 6 maj.

    Por, vetë Kurti, kur kishte njoftuar për rrugën drejt kontinentit amerikan, kishte treguar se do të qëndronte më gjatë se sa në Europë.

    “Sa i përket vizitës në SHBA, besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike, sepse nuk mund të shkojë për tri ditë atje. Dua të shkoj për 10 ditë ose dy javë, sepse është edhe një shtet më i madh. Jo vetëm që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Pra, do të shkoj e do të qëndroj më gjatë se sa në vendet e Bashkimit Evropian”, kishte thënë Kryeministri, më 9 mars, transmeton Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Ditët e Kurtit në Amerikë, deri tash

    6 maj 2022, Uashington: Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me të mbërritur në San Francisco, e ka vizituar kompaninë e njohur LinkedIn. Kurti e ka njoftuar bordin drejtues të kësaj platforme online, se Kosova është vend i mirë për të investuar kompanitë amerikane.

    Kurti në LinkedIn

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takimet i vazhdoi me drejtues të kompanisë së mirënjohur Uber, kompani kjo me të hyra vjetore prej 5.8 miliardë dollarë, operon në mbi 70 shtete dhe mbi 10 mijë qytete anembanë botës.

    Kurti në Uber

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me përfaqësues të kompanisë Airbnb, kompani e cila është formuar në vitin 2007 dhe tashmë numëron mbi 14 mijë punëtorë. Vitin e kaluar, të hyrat e saj vjetore ishin 5.9 miliardë dollarë.

    Kurti në Airbnb

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka përmbyllur vizitën në qendrën botërore të teknologjisë së informacionit, Silicon Valley, me një vizitë në kampusin e gjigandit të teknologjisë së informacionit, Microsoft. Gjatë vizitës ai është pritur nga ekspertët e teknologjisë në Microsoft, Murali Sitaram dhe Shawn Villaron, të cilët e kanë njoftuar kryeministrin për historikun e zhvillimit dhe funksionimin e korporatës multinacionale që merret me prodhimin e softuerëve të kompjuterëve, laptopëve, pajisjeve të tjera elektronike dhe ofron shërbime që lidhen me to. Të ardhurat e kësaj kompanie në vitin 2021 arritën vlerën prej 168 miliardë dollarësh.

    Kurti në Microsoft

    Raporti i Kryeministrit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

    Refuzimi për të hequr taksën kundër produkteve serbe, refuzimi i marrëveshjes së shtatorit në Uashington dhe refuzimi i gazit amerikan, duket se sollën edhe “refuzimin” e Shtëpisë së Bardhë dhe politikës amerikane për ta pritur në vizitë kryeministrin kosovar.

    Albin Kurti disa muaj pas fitores duke folur për raportet e shkëlqyera me SHBA-të, pati paralajmëruar edhe një vizitë zyrtare atje. 

    Paralajmërimi ndodhi në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, për një vizitë në fund të atij muaji, vizitë kjo që pati ndodhur. Atë kohë, Kurti si kryeministër nuk u ftua as nuk u prit nga zyrtarët e rëndësishëm amerikanë.

    U deshën që të kalojnë edhe plot gjashtë muaj të tjerë që Kryeministri ta nisë udhëtimin e parë zyrtar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, udhëtim ky që mbetet të shihet se si do të vazhdojë./Gazeta Insajderi/

    Shiko edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark