Insajderi
Hulumtime/Analiza

Zbulohet skema e dyfishtë: Leje qëndrimi false, xhirollogari të manipuluara dhe valutë e rreme në bazën e grupit

Insajderi
20 November 2025 - 17:23
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Zbulohet skema e dyfishtë: Leje qëndrimi false, xhirollogari të manipuluara dhe valutë e rreme në bazën e grupit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Operacioni i madh i Policisë së Kosovës, i nisur mbrëmë, duket se është vetëm maja e ajsbergut. Burime të Insajderit brenda hetimit thonë se aksioni po vazhdon edhe sot, me bastisje në lokacione të reja, pasi dyshohet se rrjeti ka funksionuar prej kohësh dhe me shtrirje të gjerë nëpër vend.

Gjatë kontrolleve të para, hetuesit kanë zbuluar pesë vula të falsifikuara, disa identike me ato të Ambasadës së Turqisë në Kosovë, e disa tjera që imitonin vulat e një banke private.

Këto gjetje e thellojnë skemën kriminale përtej falsifikimit të lejeve të qëndrimit: tashmë dyshimet e Policisë flasin edhe për një rrjet që ka prodhuar dokumente bankare të manipuluara, përfshirë xhirollogari të rrejshme të cilat mund të jenë përdorur për pajisje me dokumente, legalizime qëndrimi apo transaksione të dyshimta.

Një nga zbulimet më të çuditshme dhe shqetësuese u gjet në frigoriferin e njërit prej të dyshuarve: një sasi e madhe parash të falsifikuara, të ndara dhe të paketura me kujdes profesional. Sipas hetuesve, mënyra e ruajtjes së tyre tregon qartë se grupi ka funksionuar si një strukturë e organizuar, me rrjet furnizimi dhe mekanizma të mirëpërcaktuar për qarkullimin e valutës së rreme.

Forenzika po analizon vulat, dokumentet dhe paratë e gjetura me prioritet të lartë, ndërsa hetuesit presin edhe arrestime të tjera.

Policia po heton edhe lidhjet e grupit me persona jashtë vendit, si dhe mënyrën se si shtetas turq, disa me precedentë penalë, janë sjellë në Kosovë duke përdorur dokumente të falsifikuara. Hetimet pritet të zgjerohen në disa drejtime, duke përfshirë falsifikimin e dokumenteve, mashtrimet financiare, pastrimin e parave dhe qarkullimin e valutës së rreme. Sipas burimeve, dosja e këtij rasti pritet të zgjerohet ndjeshëm në ditët në vijim.

Pak më herët, Insajderi raportoi ekskluzivisht për këtë operacion të udhëhequr nga Departamenti për të Huaj në MPB, në bashkëpunim me Krimet Ekonomike dhe Prokurorinë, që kishte në shënjestër një grup të organizuar kriminal që falsifikonte lejeqëndrime për shtetas turq.

Dy drejtuesit kryesorë, sipas burimeve të hetimit, janë identifikuar si Murat Demirtepe dhe Ihsan Kiliç, pronarë të disa bizneseve të regjistruara në ARBK. Në letër, bizneset e tyre funksiononin si “zyra ndërmjetësimi” për punësimin e të huajve, në realitet, ishin qendrat ku prodhohej dokumentacioni i falsifikuar.

Skema ishte e ndërtuar mirë: sillnin persona nga Turqia, disa me histori kriminale, i regjistronin me kontrata pune në kompani fiktive, aplikonin për lejeqëndrimi përmes dokumenteve të rreme dhe madje falsifikonin edhe patentë shoferë të Republikës së Kosovës për klientët e tyre. Shpesh, dokumentet e rreme përmendnin punësimin në kompani si “Wolt”, por edhe në biznese të tjera që ekzistonin vetëm në letra të regjistruara, por pa asnjë aktivitet real.

Gjatë aksionit janë arrestuar disa persona, përfshirë Demirtepen dhe Kiliçin, ndërsa policia ka bastisur banesa dhe zyra që shërbenin si laboratorë të falsifikimit. Hetimet vazhdojnë me ritëm të përshpejtuar dhe priten edhe të dyshuar të rinj, disa prej të cilëve dyshohet të jenë shtetas turq.

Ky rast ka rindezur shqetësimet për regjistrimin pa kritere të bizneseve të huaja në ARBK, mungesën e kontrollit mbi aktivitetet e tyre dhe rrezikun që rrjete kriminale të përdorin Kosovën si platformë për operacione ndërkombëtare.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark