×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Zef Zorba, shkrimtari e disidenti i rrallë

    Insajderi
    30 October 2023 - 17:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Martin Camaj, poet i njohur për hermetizmin e poezisë së tij (sipas studiuesve) nuk ishte i vetmi poet që poezinë e mbështolli me hermetizëm. I njëkohshëm me të, ndoshta edhe pak më i hershëm (sipas Marian Shestanit) ishte Zef Zorba, poeti që arriti të shfaqte aq bukur vetveten në kushtet e një izolimi total.

    Ai u lind në vitin 1920 dhe shkroi vargje me natyrë të komplikuar stilistike, krejt të panjohura në letërsinë shqipe të asaj periudhe. Poezia e tij i largohej asaj tradicionales dhe kjo e bënte atë të kuptueshme vetëm për lexues që kishin një përgatitje e qartësi estetike.

    Studiuesi Ardian Ndreca shkruan në “Hylli i Dritës”: Zef Zorba së bashku me Martin Camajn janë të vetmit poetë të mirëfilltë hermetikë që ka letërsia jonë bashkëkohore!

    Për shkak të rrethanave të njohura dhe lehtësisht të kuptueshme, vepra e Zefit u botua një vit pas vdekjes së tij, në 1994-ën, nën kujdesin e Stefan Çapalikut. Vepra jo vetëm ishte shkruar gjysmë shekulli para botimit, por edhe ishte harruar bashkë me autorin thuajse plotësisht.

    Edhe pse Zef Zorba ishte i mbyllur në “hermetizmin” e socializmit, poezia e tij nuk e vuajti asnjëherë izolimin. Sipas Marian Shestanit, ajo ka vetëdijen e teknikave moderne bashkëkohore të mjeshtërisë së një Ungareti shqiptar.

    Në vitin 1996, tri vjet pas vdekjes dhe dy vjet pas botimit, një juri prestigjioze i dha librit “Buzë të ngrime nën gaz” çmimin “Martin Camaj” me motivacionin: Zorba i takon një qarku të vogël poetësh në Shqipni që artistikisht dhe moralisht e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqipe dhe e rimëkambshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autor si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi e të tjerë.

    Ai ishte regjisor i dramës “Juda Makabe”, e para dhe të fundit e Atë Gjergj Fishtës, që u vu në skenë gjatë komunizmit në Shtëpinë e Kulturës në Shkodrën e vitit 1945. Gjithashtu është autor edhe i libretit të operetës “Rozafat”, vënia në skenë e së cilës nuk u lejua asnjëherë nga komunizmi.

    Zef Zorba vdiq në vitin 1993 pa mundur të shohë asnjëherë të botuara veprat e tij, të cilat u botuan një vit më vonë nga familjarët, duke e shkruar emrin e Zorbës me shkronja të arta në librin e poezisë shqipe. /Hejza/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark