17:40 - 30 Shtator 2022

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se është duke kërkuar anëtarësim të përshpejtuar të Ukrainës në NATO. 

Kjo kërkesë vjen pas deklarimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për aneksimin e katër regjioneve të Ukrainës përmes të ashtuquajturave referendume të rreme, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

“Ne e kemi vërtetuar përshtatjen tonë me standardet e aleancës. Ne jemi duke marrë hap vendimtar duke nënshkruar aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO”, ka thënë Zelensky përmes një postimi në Telegram.

Vendimi i Putinit për aneksim të territorit të Ukrainës nuk është pritur fare mirë nga Perëndimi.

Këshilli Evropian, i përbërë nga liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ka dënuar aneksimin ilegal të Rusisë të Donetskut, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia.

Në një deklaratë të lëshuar nga anëtarët e Këshillit Evropian thuhet se kurrë nuk do ta njohin këtë aneksim të paligjshëm dhe se vendimi i nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, është i pavlefshëm.

“Duke minuar me dashje rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe duke shkelur hapur të drejtat themelore të Ukrainës për pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial, parimet thelbësore të sanksionuara në Kartën e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar, Rusia po vë në rrezik sigurinë globale”.

“Ne kurrë nuk do ta njohim këtë aneksim të paligjshëm. Këto vendime janë të pavlefshme dhe nuk mund të prodhojnë asnjë efekt juridik” thuhet në deklaratë.

Madje, në deklaratën e KE-së thuhet se udhëheqësit e BE-së do të forcojnë masat kufizuese kundër veprimeve të paligjshme të Rusisë në mënyrë që të rrisin më tej presionin ndaj Moskës.