Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, ka publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku ka folur për angazhimin e tij gjatë mandatit si ministër i Shëndetësisë, si dhe për planet e LDK-së për përmirësimin e këtij sektorit.
Zemaj ka theksuar se gjatë kohës sa ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova po përballej me pandeminë COVID-19, por kjo, sipas tij, nuk e ndali angazhimin për të përmirësuar kushtet e punës dhe pozitën e stafit shëndetësor.
Ai ka kujtuar se në qeverisjet e mëparshme mjekëve nuk u ndaheshin specializime, gjë që, sipas tij, ndikoi drejtpërdrejt në largimin e tyre nga vendi.
“U angazhova për punësimin e të gjithë mjekëve që tashmë ishin specialistë, si dhe mbi 500 mjekëve të rinj që në atë kohë ishin të papunë. Ajo që kjo qeveri nuk e bëri për specializantët, të cilëve vetëm ua rriti barrën me taksa dhe procedura burokratike, do ta bëjmë ne si Lidhja Demokratike e Kosovës pas datës 28 dhjetor,” ka deklaruar Zemaj.