Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Armend Zemaj, ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjeve të fundit të energjisë elektrike, duke e cilësuar menaxhimin e sektorit energjetik si të dështuar dhe të motivuar politikisht.
Gjatë një takimi me qytetarë në Banjë të Istogut, Zemaj ka bërë të ditur se gjysma e kësaj komune, së bashku me Rahovecin dhe Malishevën, po përballen me mungesë të energjisë elektrike. Sipas tij, kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejtë e paaftësisë së “qeverisë në ikje”.
“Menaxhimi i përgjegjësve të sektorit të energjisë është i dobët dhe i papranueshëm. Qeveria në ikje jo vetëm që nuk bëri asgjë për ta përmirësuar këtë situatë, por e rëndoi edhe më shumë, për shkak të inateve politike pas humbjes së thellë në Istog”, ka deklaruar Zemaj.
Ndër të tjera, ai ka thënë se qytetarët do t’i ndëshkojnë “me karton të kuq” qeverinë e deritanishme.
“Prandaj, më 28 dhjetor, ashtu siç u dha kartoni i kuq në zgjedhjet lokale, Istogasit dhe e gjithë Kosova do t’ua japin kartonin e kuq edhe në zgjedhjet nacionale. Nga Banja e Istogut zotohemi se LDK-ja dhe qeveria e saj e ardhshme e kanë prioritet kryesor zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike”, ka përmbyllur Zemaj.