Insajderi
Lajme

Zhdukja e mbi 100 armëve nga depoja “Tactical” në Gjakovë – dyshohet se dera u hap me çelës, pa shenja thyerjeje

Insajderi
31 October 2026 - 13:36
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Zhdukja e mbi 100 armëve nga depoja “Tactical” në Gjakovë – dyshohet se dera u hap me çelës, pa shenja thyerjeje
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia ka njoftuar se mbi 100 armë zjarri janë vjedhur nga një depo në rrugën “Fehmi Agani” në Gjakovë. Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës më 30 tetor, rreth orës 18:00, nga dy ankues meshkuj kosovarë.

Por ajo që e bën rastin edhe më shqetësues është një detaj që ka ngritur dyshime për mënyrën e realizimit të vjedhjes: dera e depos nuk kishte shenja thyerjeje dhe dyshohet se është hapur me çelës.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se rasti është raportuar të premten, më 30 tetor, rreth orës 18:00, në rrugën “Fehmi Agani” në Gjakovë, ku ndodhet depoja e armëve “Tactical”.

Sipas informacioneve të siguruara, alarmi është ngritur pasi është konstatuar mungesa e një numri të madh armësh, ndërsa ankuesi ka deklaruar se nga depoja mungojnë mbi 100 armë të shkurtra, me dëm të vlerësuar në më shumë se 100 mijë euro.

Mbi 100 armë të zhdukura, por dera pa shenja të hapjes me forcë

Një nga rrethanat më të pazakonta të rastit lidhet pikërisht me mënyrën se si dyshohet të jetë siguruar hyrja në depo.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se dera nuk kishte shenja të hapjes me forcë, duke ngritur dyshimin se ajo mund të jetë hapur me çelës.

Se kush mund ta ketë pasur çelësin, si është realizuar hyrja dhe në çfarë mënyre janë larguar mbi 100 armë nga objekti, janë çështje që mbeten ende të pasqaruara.

Për momentin, nuk ka informacione të konfirmuara për identitetin e personit apo personave që dyshohet se qëndrojnë pas vjedhjes.

Hetuesit dhe krimteknikët në vendngjarje

Pas raportimit të rastit, në depo kanë dalë njësitë patrulluese të Policisë, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonalë dhe krimteknikët, të cilët kanë ndërmarrë veprimet për dokumentimin e ngjarjes dhe sigurimin e provave.

Pas konsultimeve me organet kompetente, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Përtej dëmit financiar prej mbi 100 mijë eurosh, zhdukja e raportuar e një numri kaq të madh armësh ngre edhe shqetësime serioze për sigurinë, përderisa nuk dihet se ku kanë përfunduar ato.

Mbetet të shihet nëse hetimet do të zbulojnë se si është realizuar vjedhja dhe kush ka pasur qasje në depon nga e cila raportohen të zhdukura armët.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark