Edon Zhegrova është pa dyshim lojtari më në formë kosovar i momentit.
Ylli kosovar po shkëlqen me fanellën e Lillet, me të cilin do të zbresë sonte në fushën e blertë.
Ekipi francez do të përballet me Aston Villën në udhëtim në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Konferencës.
25 vjeçari do të mundohet “ta pushtojë” Anglinë me një paraqitje tjetër spektakolare, siç ka ditur shpesh të bëjë në këtë edicion, shkruan “Gazeta Express”.
Përfaqësuesi kosovar e ka një mundësi ideale për ta shfaqur talentin dhe potencialin e tij në Angli sonte pasi gjatë verës që vjen pritet ta bëjë hapin e radhës në karrierë për t’u transferuar në një klub më të madh evropian.
Dhe, Anglia do të ishte një opsion ideal për ish-futbollistin e Baselit, ndonëse për të flitet se interesim kanë shfaqur edhe klubet italiane dhe ato gjermane.
Vlera e “Messit të Kosovës” në treg është 15 milionë euro, sipas “Transfermarkt”.
Zhegrova i ka zhvilluar 8 ndeshje në Ligën e Konferencës në këtë edicion, ndërsa i ka shënuar 2 gola dhe e ka bërë një asistim.
E në total në të gjitha garat, ai i ka luajtur 40 ndeshje në këtë sezon duke i shënuar 11 gola dhe duke i bërë 9 asistime.
Ndeshja mes Aston Villës dhe Lillet do të luhet sonte duke filluar nga ora 21:00.