×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Zhgënjim me Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës

    Insajderi
    03 July 2023 - 21:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autor: Berat Luzha, publicist

    Ëndërroja gjithnjë të mirrja pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar, në festivalin më të madh të folklorit burimor shqiptar apo në kryefestivalin folklorik, që mbahet tradicionalisht për çdo katër vjet në Gjirokastër.

    E përcillja në TV e në rrjete sociale për çdo natë e për çdo ditë këtë festival me emër dhe kisha fituar bindjen se po arrinte suksesin më të madh të mundshëm, Prandaj, mora vajzën, mbesën e nipin për ta parë e përjetuar nga afër këtë ngjarje të madhe artistike.

    Gjirokastrën e gjetëm të stolisur si nuse, me plot dasmorë, të vendit e të huaj, që kishin mbushur rrugët e gurta të qytetit të vjetër. Më në fund, bashkë me qindra apo me mijëra vizitorë, u futëm në kështjellën famëmadhe, në hapësirën e hapur të së cilës mbahej festivali. Menjëherë na bie në sy skena e bukur e festivalit, një skenë madhështore në kështjellën madhështore.

    Pritej të fillonte nata e fundit apo nata e tetë e festivalit në orën e caktuar, por jo! Një vonesë e pashpjegueshme dhe e mundimshme njëorëshe me atë “një – dy, një – dy” në gjuhën italiane na kishte lodhur tepër shumë.

    Kur kujtuam se po po fillonte programi i festivalit, në skenë u ngjitë një ansambël i zhrmshëm italianë, i cili për një orë e 15 minuta, fund e krye me këngë italiane të të njëjtit ritëm e të të njëjtës melodi, ishte bërë i padurueshëm! Shtrohet pyetja, për çka u fut në program një ansambël i huaj në një festival folklorik shqiptar?!!! A ishte kjo një ndërhyrje flagrante në programin e festivalit dhe pikërisht në natën e fundit të tij?

    Pasi ky ansambël i huaj, i pritur ftohtë nga publiku, përfundoi paraqitjen e tij të stërzgjatur, pa asnjë shpjegim u shpall pauzë gjysmëorëshe, që zgjati, jo 30 po plot 45 minuata të plota.

    Kështu, programi i njëmendtë i festivalit, në vend se të fillonte në orën 19, filloi në orën 21, d.m.th. me plot dy orë vonesë apo me dy orë pritjeje aspak të lehtë. Në skenë, më në fund, u ngjitën këngët e vallet shqipe të dy ansambleve tona shtetërore; të R. së Shqipërisë dhe të R. së Kosovës. Thënë të drejtën, as ky program nuk ishte për lakmi, si duket i përgatitur shpejt e shpejt, një program sa për të thënë!

    Nga qyteti i mrekullueshëm i Gjirokastrës u kthyem paksa të zhgënjyem, jo me akterët po me organizimin tejet të dobët, me organizimin tejet anemik.

    Uroj që festivali në netët e para të ishte në nivelin, çfarë e do kjo ngjarje kulminante folklorike në trojet shqiptare!

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark