Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka konfirmuar përmes një reagimi publik se kompania Energy Financing Team (EFT), e lidhur me biznesmenin Vuk Hamoviq, ka qenë e licencuar për tregti me shumicë të energjisë elektrike edhe nga viti 2021 deri më 2026.
Sipas ZRRE-së, Energy Financing Team LLC ka qenë e licencuar nga viti 2016 deri më 2021 dhe më pas i është rinovuar licenca në vitin 2021, në përputhje të plotë me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi.
“ZRRE thekson qartë se procesi i licencimit të subjekteve energjetike bazohet në kritere të qarta ligjore dhe rregullative, dhe nuk ndikohet nga akterët e ndryshëm që janë jashtë kornizës ligjore dhe institucionale. Në lidhje me deklaratat e fundit për licencimin e kompanisë EFT, ZRRE informon opinionin e gjerë se kompania Energy Financing Team AG ka qenë e licencuar për ushtrimin e aktivitetit të furnizimit me shumicë (tregti) të energjisë elektrike nga periudha 2006 deri më 2012. Poashtu ju informojmë se Energy Financing Team LLC është e licencuar nga ZRRE për ushtrimin e aktivitetit të furnizimit me shumicë (tregti) të energjisë elektrike nga viti 2016 deri 2021 dhe nga 2021 deri më 2026, gjithmonë në përputhje me kornizën ligjore”, thuhet në njoftim.
Në këtë njoftim ZRRE u ankua se po përballet “me presione dhe sulme të vazhdueshme nga akterë të ndryshëm”, ndërsa tha se deri tani ka “ndjekur një qasje të përmbajtur institucionale duke mos u përfshirë në debate politike, me qëllim ruajtjen e paanshmërisë”.
“Çdo përpjekje për të paraqitur ndryshe këtë proces rrezikon të krijojë paqartësi në publik, dhe të dëmtojë besimin për institucionet e pavarura dhe stabilitetin e tregut të energjisë elektrike. Deklarata të tilla nga akterë të ndryshëm janë të papërgjegjshme, të dëmshme dhe nuk i shërbejnë as transparencës dhe as interesit publik”
Institucioni rregullator ka paralajmëruar se interpretimet e pasakta rrezikojnë të krijojnë paqartësi në publik dhe të dëmtojnë besimin në institucionet e pavarura.
“ZRRE është institucion i pavarur kushtetues dhe ligjor. Çdo tentativë nga individë apo grupe të caktuara të interesit për ndikim në çështjet rregullative përbën shkelje serioze të parimit të pavarësisë së rregullatorit, cenon sundimin e ligjit, dëmton funksionimin e tregut të energjisë dhe rrezikon në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.”.