Arbër Hoxha është futbollisti më i ri i Slaven Belupos. Hoxha sot ka nënshkruar kontratë trevjeçare, ndërsa nga ndeshja e së dielës me Hajdukun do të jetë në dispozicion të trajnerit Zoran Zekiq, shkruan Insporti.com.
Mesfushori shqiptar ka nënshkruar kontratë tre vjeçare me klubin e Slaven Belupos.
Hoxha deri më tani ishte pjesë e NK Lokomotivës së Zagrebit, klub i cili njihet si “fole” e futbollistëve shqiptarë.
“Jam i lumtur që kam ardhur në Slaven Belupo. Do të jap maksimumin në çdo seancë stërvitore dhe ndeshje dhe në këtë mënyrë do të përpiqem ta ndihmoj skuadrën të arrijë rezultatet më të mira të mundshme. Besoj se do të përshtatem shpejt. Unë e njoh mirë ligën dhe klubin dhe i njoh trajnerin dhe lojtarët nga fusha. Mezi pres të qëndroj në Koprivnicë dhe Slaven Belupo”, ishin fjalët e para të Hoxhës si futbollist i Belupos.
Në këtë sezon, 23-vjeçari, për Lokomotivën e Zagrebit është paraqitur në 11 ndeshje në kampionat dhe kupë por pa arritur të asistojë apo të shënojë gol.
Në futbollin senior ka bërë 106 paraqitje në Superligën e Kosovës dhe në rangun më të lartë të futbollit kroat, duke shënuar 21 gola.
Hoxha ka luajtur edhe tri ndeshje për Kombëtaren A të Kosovës.