×
  • Sport
  • Sport

    Zyrtare: Pezullohet ndeshja e Trepçës në Izrael

    Insajderi
    09 October 2023 - 19:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Basketbollistët e Trepçës nuk do të udhëtojnë javën e ardhshme për në Izrael, ashtu siç ishte e planifikuar. Skuadra mitrovicase është dashur që në Jerusalem ta zhvillonte ndeshjen e parë në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.

    Trepça për herë të parë po paraqitet në pjesën e rregullt të garave në FIBA Europe Cup, ndërsa më 18 tetor është dashur të takohej me Hapoel Galil Elionin në Jerusalem.

    Por FIBA Evropa të hënën mbrëma vendosi të suspendonte të gjitha ndeshjet në të cilat përfshihen ekipet nga Izraeli. Pra, edhe ndeshjet e Trepçës me Hapoel Galil Elionin. Këtë vendim FIBA Evropa e mori për shkak të gjendjes së krijuar në Izrael.

    “Duke pasur parasysh situatën aktuale të sigurisë në Izrael dhe pas rekomandimit të këshilltarëve të saj të sigurisë, FIBA Evropa mori vendimin për të pezulluar të gjitha ndeshjet që përfshijnë ekipet izraelite. Vendimi vlen për të gjitha garat e FIBA Evropës dhe është në fuqi deri në një njoftim tjetër”, ka njoftuar FIBA në faqen zyrtare.

    Vendimi është i vlefshëm edhe për ndeshjet e skuadrave izraelite në udhëtim, jo vetëm për ato që është dashur të zhvilloheshin në këtë vend.

    Janë pesë skuadra nga Izraeli që paraqiten në FIBA Europe Cup dhe në EuroCup Women.

    “Datat dhe oraret e secilës ndeshje të riplanifikuar do të konfirmohen sapo të mundësojë situata”, ka shkruar FIBA.

    Kështu ndeshja e parë e Trepçës në FIBA Europe Cup do të jetë ajo e 25 tetorit me skuadrën holandeze ZZ Leiden. Kjo ndeshje do të zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

    Aktualisht e suspenduar është edhe ndeshja e Trepçës me Hapoelin e planifikuar për në Mitrovicë më 8 nëntor.

    Trepça për herë të dytë është paraqitur në kualifikimet e FIBA Europe Cup. Vjet u ndal në pengesën e parë, ndërsa këtë herë mposhti Tindastollin e Islandës dhe Parnun e Estonisë për të avancuar në stinorin e rregullt.

    Më herët ndeshjet në Izrael i kanë shtyrë edhe UEFA, Federata Evropiane e Hendbollit dhe federata të tjera sportive. /koha/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark