Skuadra e Vëllaznimit ka shtuar centimetra nën kosh para ndeshjes me Sigal Prishtinën, të cilën e luan këtë vikend në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Vëllaznimi, të martën ka prezantuar krah-qendrën amerikane Joshua Nurse. Nurse (207 cm), së fundmi ishte pjesë e ekipit elitar të Austrisë, Kolesterneuburg, ndërsa karrierë në Evropë ka bërë edhe te Kozhuvi në Maqedoninë e Veriut dhe Dinamo Tbilisi në Gjeorgji.
Ai tashmë i është bashkuar ekipit gjakovar në stërvitje dhe do të debutojë të shtunën kundër Prishtinës, ndeshje kjo që zhvillohet në Gjakovë.
Vëllaznimi në këtë ndeshje futet pas një serie të mirë, ku ka shënuar dy fitore në dy ndeshjet e fundit. Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura deri më tani në Superligë, Vëllaznimi ka regjistruar edhe katër humbje.