Vëllau i deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, është shpërblyer me grant 100 mijë euro prej Ministrisë së Bujqësisë. Kështu ka pretenduar sekretari i përgjithshëm i forumit të rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Egzon Pacolli, përmes një video.
Granti prej 100 mijë eurove, Pacollit thuhet se i ishte ndarë për ndërtimin e stallës dhe për lopë qumështore.
“Me 100 mijë euro, Ministria e Bujqësisë, e ka shpërblyer vëllaun e deputetes Fitore Pacollit. “Alda Farm Ria sh.p.k, ka përfituar grant prej 100 mijë eurosh, ku pronar i këtij biznesi është vëllau i deputetes Fitore Pacolli, Blerim Pacolli”.
Madje detaj tjetër Egzon Pacolli thotë se ky biznes është regjistruar vetëm 4 ditë më herët para se të nënshkruhej kontrata.
“Kontrata për këto 100 mijë euro, është nënshkruar me datë 16 korrik 2024, vetëm 4 ditë më herët, ky biznes është regjistruar në ARBK”, ka thënë tutje ai në video.
“Familjarët janë veç për dasma, thoshte Lëvizja Vetëvendosje para se me ardhë në pushtet. Ama, deputetja Fitore Pacolli e ka shpërbly vëllaun me grant gati 100 mijë euro, prej ministrisë së bujqësisë”, ka shkruar Egzon Pacolli.