Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklaruar sot se Kosova është në një udhëkryq të madh dhe se Nisma është garanca që vendi nuk do të marrë rrugën e gabuar.
Ai para simpatizantëve të partisë në Suharekë, tha se Kosova njëherë e mirë duhet të marrë vendimin e duhur për të ecur përpara.
Rruga drejt dinjitetit dhe krenarisë, sipas Limajt, varet nga sakrifica. Ai shtoi se sot më shumë se kurrë, qytetarët duhet të rreshtohen për t’i dhënë drejtimin e drejtë vendit, drejt dinjitetit dhe krenarisë.
“Kurrë nuk jam udhëhequr nga gara për të mundur shqiptarët, por jam udhëhequr nga motivi i brendshëm që e di se mund t’i shërbej vendit tim, dhe nuk kursej asgjë për t’i shërbyer vendit tim, së bashku më bashkëpunëtorët e mi”.
“Dhe, ky zjarr si asnjëherë më parë është rikthyer fuqishëm për t’i shërbyer vendit sepse po e shohim që vendi është para rreziqeve të mëdha. Sa të jemi ne me këtë zjarr në shërbim të vendit, unë jam i bindur që Kosova i ka djemtë dhe vajzat e saj që nuk do të lejojnë të merr drejtimin e gabuar. Ne jemi këtu garancë që Kosova do nuk do të merr drejtim të gabuar, dhe do të jetë zëri i çlirimtarëve në Parlamentin e Kosovës”, tha ai.
Bartësi i listës së Nismës tha se Kosova ka dy oferta në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, njërën të atyre që kanë mundur t’i shërbejë vendit, por nuk i kanë shërbyer dhe në anën tjetër, ata të cilët kanë qenë gjithmonë pranë dhe me popullin.
Kritika ka adresuar për kandidatin për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajn, për të cilin ka thënë se nuk ka kapacitet për të drejtuar qeverinë.
“Enver Hoxhaj mund të jetë çdo gjë tjetër përveçse drejtues jo. As nuk e ka kapacitetin, as nuk e ka unin, as dinjitetin për të drejtuar, më mirë e din Peçani dhe Suhareka. Mund të jetë njëri nga të tjerët, ashtu siç ka qenë, por asnjëherë në jetën e tij s’ka drejtuar asgjë. Për më tepër, edhe në dy momentet më kritike të jetës së tij, kur i është dashur Kosovës, ai nuk ka qenë këtu. Ai s’i ka shërbyer. Ai në fakt e ka gjetë të gatshme edhe lirinë edhe partinë. Dikujt i shkon kështu, por jo për ta dëmtuar Kosovën”, tha Limaj.
Lideri i Nismës Socialdemokrate shtoi se besimi ndërtohet nga e kaluara, ndryshe premtimi pa të kaluarën është lotari, me shumë të panjohura dhe rreziqe.
Limaj duke kritikuar liderët e partive tjera politike për premtimet e tyre gjatë fushatës elektorale, tha se besimin e qytetarëve duhet ta kenë ata që e kanë dëshmuar veten për kombin dhe vendin.
Ai para qytetarëve të Suharekës, tha se deri më tash në cak janë vetëm ata që kanë dhënë jetën për atdhe, teksa u shpreh i bindur se me besimin e qytetarëve si Nismë do të arrijnë caqet në shërbim të vendit.
Në këtë tubim elektoral u prezantuan edhe kandidatët e Nismës Socialdemokrate për deputetë nga qyteti i Suharekës.