×
Zgjedhjet 2021

​Hoti: Nëpër Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin

Insajderi
11 February 2021 - 13:58
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër të vendit, Avdullah Hoti ka prezantuar programin qeverisës për rajonin e Prishtinës, për çka ka premtuar mbështetje specifike për bizneset që hapin vende të reja të punës. Kryeministri në detyrë ka thënë se në Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që ligjin Ballkanin dhe se kryeqyteti do të bëhet edhe kryeqendër e rajonit dhe e referencës për siguri dhe stabilitet të Ballkanit.

Hoti ka premtuar një kryeqytet modern dhe qendër administrative të arsimit, kulturës dhe sportit.

“Nëpër Prishtinë do të kalojnë të gjitha autostradat që lidhin Ballkanin dhe përtej Prishtina do të jetë nyje lidhëse për hekurudhat modern të rajonit dhe më gjerë, Prishtina do të bëhet kryeqendra e rajonit, pikë e referencës për siguri dhe stabilitet të Ballkanit”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se qeverisja e LDK-së do t’i mundësojë Prishtinës implementimin e politikave përkrahëse për biznese dhe qytetarë, për të përmirësuar shërbimet publike.

“408 milionë euro është vlera e projekteve të cilat janë të mbështetura nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Prishtinë, të cilat i japin dimension krejtësisht të ri zhvillimor kryeqytetit tonë, përfshirë këtu impiantin për ujëra të zeza 97 milionë, rrugën nacionale Prishtinë-Gjilan, rrugën Prishtinë-Podujevë, zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, zgjerimin e pistës dhe ngritjen e sistemit të aterimit në aeroportin ‘Adem Jashari’, ndërtimin e rrugës A në komunën e Prishtinës”, ka thënë ai.

Ai ka vazhduar tutje duke përmendur Spitalin e Prishtinës, kompleksin e ri qeveritar në Hajvali e ndërtimin e objektit të Administratës Tatimore dhe Doganave në Prishtinë, duke theksuar se këto janë vetëm disa prej projekteve me të cilat qeverisja e LDK-së e mbështet Prishtinën.

Hoti ka thënë se LDK nuk do të bashkëpunojë me krimin dhe korrupsionin, duke deklaruar që alternativat e partive të tjera politike i konsideron të zymta dhe sipas tij të njëjtat e dërgojnë vendin në degradim dhe izolim.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark