×
  • Lajme
  • Lajme

    ​Operatorët e linjës 7 kundërshtojnë qarkullimin e autobusëve të rinj

    Insajderi
    01 October 2018 - 17:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Që nga dita e sotme kryeqytetit i janë shtuar edhe 21 autobusë urban e po ashtu edhe disa linja të reja. Risi sipas kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, është linja e Kalabrisë që fillon tek Pastrimi dhe kalon në disa rrugë të Kalabrisë, përfshi rrugën te Stacioni dhe “Banesat e Arabëve”.

    E pikërisht kjo linjë e re ka bërë që kompanitë që e mbajnë linjën 7 të protestojnë gjatë ditës së sotme, ku kanë bllokuar rrugën “Tahir Zajmi” ku ka nisur qarkullimin linja e re e trafikut urban.

    Drejtuesit e këtyre kompanive kanë thënë se kanë protestuar pasi që komuna nuk i ka njoftuar paraprakisht për këtë vendim.

    Menaxheri i kompanisë “Citi Bus”, Isak Mustafa, ka thënë për KosovaPress se nuk pajtohen që të shtohet një linjë e re e trafikut urban, pasi sipas tij thuajse 80 përqind kalon në të njëjtën trase.

    Ai ka thënë se sot kanë vazhduar punën, por që nëse nuk do të ndalohet kjo linjë do të vazhdojnë të protestojnë.

    Ndonëse kompanitë që mirëmbajnë linjën 7 thonë se edhe linja e re e Trafikut Urban përshkon të njëjtën rrugë, ndryshe thonë nga komuna e Prishtinës.

    Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka bërë të ditur se janë takuar me drejtuesit e kompanive që mirëmbajnë linjën 7.

    Po ashtu, ai përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPres ka thënë se vetëm në zonat rreth stacionit të autobusëve takohen autobusët privatë me ata të Trafikut Urban që janë të caktuar për lagjen Kalabria.

    “I kemi takuar dhe ua kemi sqaruar situatën. Ata e kanë linjën për Kolovicë, ku nuk shkojnë autobusët e Trafikut Urban. Vetëm në zonat rreth Stacionit të Autobusëve takohen autobusët privatë me ata të Trafikut Urban që janë caktuar për lagjen ‘Kalabria’. Reformës së transportit publik në Prishtinë duhet t’i përshtaten operatorët privatë, e jo anasjelltas”, ka thënë Tahiri.

    Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mbrëmë përmes rrjetit social Facebook ka bërë të ditur se sot do të dalin në qarkullim 21 autobusët e rinj.

    Po ashtu, ai ka bërë të ditur se linjës 3 do t’i shtohet edhe një sub-linjë që kalon te “Princi i Arbërit” dhe përshkon edhe gjithë rrugën “Muharrem Fejza”. Një autobus do të qarkullojë tre herë në ditë në fshatrat e Gollakut deri në Keqekollë.

    Ndërkohë, që ai ka shkruar se në ditët në vijim do t’i paraqesin edhe hartat e sakta në stacione si dhe broshurat.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark