×
  • Lajme
  • Insajderi

    ​Qytetarët optimistë: Qeveria e ardhshme të punojë për të gjithë

    Insajderi
    14 February 2021 - 12:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fluksi i qytetarëve për votime është rritur nga mesdita, e të cilët në këtë kohë të ftohtë disa prej tyre kërkojnë mirëqenie më të mirë, punësim, si dhe arsim e shëndetësi më të avancuar.

    Pati nga ta që kishin ardhur nga Gjermani për të votuar për zgjedhjet parlamentare, e që kërkojnë qeverisje më të mirë për Kosovën.

    Qytetari nga Prishtina Fatlum Hasimi theksoi se ndryshimet për qeverisje në Kosovë janë të nevojshme, siç tha ai për zhvillim ekonomik, arsim më të mirë dhe diplomaci të jashtme për interesin e Kosovës.

    “Presim rezultate më të mira që kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës. Besoj që do të jenë të nevojshme për të gjithë… Janë disa sfera kryesore, ekonomia, arsimi, politika e brendshme – e jashtme. Besoj që ka me pasur ndryshim, por presim rezultatet të cilat dalin pas numërimit”, theksoi Hasimi.

    Ndërsa, Rexhep Rukovci në moshë të shtyrë i cili ka dalë të votojë në këtë mot të acartë, thotë se Qeveria e ardhshme duhet të punojë më shumë në interes të qytetarëve.

    “Lutem të bëhet më mirë, e çka ndodhë nuk e di… Kërkesat tona janë me punua ashtu siç kërkohet, me pas interesim për qytetarë më shumë se për veti”, theksoi Rukovci.

    Bashkatdhetari nga Gjermania, Isa Rexhepi thotë se ka ardhur në Prishtinë vetëm për të votuar dhe kërkon që vota e tij të jetë në shërbim të një ndryshimi për të mirën e të gjithëve, përfshirë edhe diasporën.

    “Po, presim shumë ndryshime për ekonomi, shëndetësi dhe në të gjithë sferat. Kështu që kemi shpresa të mëdha në këto votime. Ne sidomos diaspora e ashtuquajtur një farë revolucioni paqësor jemi duke bërë. Sepse, jemi të mllefosur më qeveritë e kaluara, pasi asnjë nuk i kanë përmbushur premtimet ashti siç i patën dhënë nëpër fushata të kaluara. Andaj, tash kemi marrë këtë iniciativë me bërë ndryshime brenda mundësive. A keni ardhur me votua? Po, prej, Berlinit kam ardhur për shkak se nuk i kemi besuar KQZ-së. E kemi humbur besimin në këtë institucion totalisht. Kështu që tash te shohim, jemi duke u munduar me bërë ndryshime për së miri, për të gjithë dhe për neve”, theksoi Rexhepi.

    Ndërsa, Jakup Gashi nga Prishtina thotë se nga këto zgjedhje presin ndryshime, ani pse nuk beson që partitë t’i realizojnë të gjitha premtimet.

    “Po kam votuar për ndryshime, por nuk pres që do të realizohen, sepse s’kemi kurrfarë prodhimi. Vetëm me doganë nuk mundet me u bërë buxheti qysh po mendojmë me pas mbështetje për arsim e shëndetësi”, tha ai.

    Ndërsa, Valmira Hasanaj nga Shqipëria e cila jeton në Kosovë, thotë se populli është lodhur me qeverisjet e kaluara, për çka kërkon një perspektivë dhe zhvillim ekonomik, e në të njëjtën kohë edhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

    “Lutemi që të fiton ai qe e meriton dhe ai që bën diçka për Kosovën, sepse jemi lodhur më… Jam nga Tropoja e Shqipërisë, jetojë këtu, kam dëshirë me ecur Kosova dhe Shqipëria përpara dhe lutemi që të bashkohen trojet tona”, tha Hasanaj.

    Bora e sotme nuk e pengoi as Fahrije Bytyqin që të dalë për të votuar. Ajo tregon për KosovaPress pritjet e saj nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

    “Mua po më duket s epo shkon shumë mirë dhe krejt jemi vetëdijesua si popull. Edhe dola në këtë të ftohtë për të votua… Pres ndryshim të madh. Ishalla bile e pres, punësimin e të rinjve. I kam fëmijët me master të doganës, janë pa punë”, tha ajo.

    Ndërsa, sot në gjithë vendin qendrat e votimit janë hapur nga ora 07:00 e mëngjesit dhe të do mbyllen në orën 19:00.

    Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark