×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    𝐋𝐱𝐠𝐣𝐱 đ©Ă«đ« đ›đšđ«đ§đšt đȘĂ« đ©đš đ©Ă«đ«đ©đ„đšđŹ đ©đźđŹđĄđ­đžđ­đąđ§ 𝐩𝐞 đšđ©đšđłđąđ­Ă«đ§ – çka parashihet tĂ« rregullohet e çka po kundĂ«rshtohet?

    Insajderi
    17 April 2023 - 12:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qeveria e Kosovës me 5 mars ka miratuar projektligjin i cili parasheh çmimin tavan të barnave. Pas miratimit, projektligji pritet të vihet në diskutimi e pastaj për votim në Kuvendin e Kosovës. Ndonëse të gjithë po pajtohen se çmimi i ilaçeve duhet të rregullohet me ligj dhe se një gjë e tillë është e vonuar, opozita sërish ka kritikat e saj. I mangët e i dobët po cilësohet nga ana e tyre ligji i përpiluar nga Ministria e Shëndetësisë.

    Themelim i një komisioni prej 7 anëtarësh, kosto e përballueshme, mos abuzimi me çmimet janë disa prej pikave kyçe që e karakterizojnë këtë projektligj.

    Ministria e Shëndetësisë e cila udhëhiqet nga Arben Vitia ka dhënë detaje për Gazetën Insajderi mbi projektligjin që në veçanti pritet të ndikojë në fushën e farmaceutikës.

    Sipas tyre përmes përcaktimit të çmimeve të produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik (barnatoret) me shumicë dhe pakicë në Kosovë do të mundësohet që institucionet shëndetësore të vendit, të sigurojnë barnat e nevojshme dhe efikase për qytetarët dhe institucionet e Kosovës me kosto të përballueshme.

    Arben Vitia – MinistĂ«r i ShĂ«ndetĂ«sisĂ«

    Ligji do tĂ« mundĂ«sojĂ« evitimin e çmimeve tĂ« ndryshme pĂ«r produkte tĂ« identike dhe do tĂ« pamundĂ«sojĂ« abuzimet me çmimet e barnave, nĂ« emĂ«r tĂ« “tregut” tĂ« lirĂ«, sikurse deri mĂ« tani, kosto kjo tĂ« cilĂ«n e kanĂ« paguar qytetarĂ«t“, thuhet nĂ« pĂ«rgjigjen e tyre pĂ«r Insajderin.

    Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me këtë projektligj, institucionet shëndetësore publike do të kontraktojnë në të ardhmen produkte medicinale bazuar në Listën zyrtare të çmimeve me shumicë të produkteve medicinale, me çka do të parandalohet blerja me çmime të pa-arsyeshme.

    Projektligji i miratuar do tĂ« rregullojĂ« llojet e çmimit tĂ« produkteve medicinale qĂ« janĂ«: “Çmimi me shumicĂ«; Çmimi me shumicĂ« pĂ«r produkte gjenerike; Çmimi me pakicĂ«; dhe Çmimi me pakicĂ« pĂ«r produkte gjenerike”.

    Deri tek votimi i këtij ligji, Ministri i Shëndetësisë pritet të themelojë një komisioni, se çka parasheh ai për Insajderin kanë treguar nga MSH.

    Bazuar nĂ« kĂ«tĂ« Projektligj, Ministri i ShĂ«ndetĂ«sisĂ« do tĂ« themelojĂ« Komisionin pĂ«r çmime tĂ« produkteve medicinale i cili pĂ«rcakton çmimet e produkteve medicinale bazuar nĂ« metodologjinĂ« e çmimeve referente tĂ« jashtme. Ky Komision do tĂ« pĂ«rbĂ«het nga 7 anĂ«tarĂ«, prej tĂ« cilĂ«ve asnjĂ« nuk mund tĂ« jetĂ« zyrtar apo zyrtare qĂ« nĂ« 3 vitet e fundit ka punuar apo ka zotĂ«ruar kompani farmaceutike“.

    Përcaktimi i çmimeve të produkteve medicinale do të bëhet për secilin produkt individual, thanë nga ministria.

    NdĂ«rkohĂ«, sa u pĂ«rket procedurave, “deklarimi i çmimit bĂ«het nga ana e bartĂ«sit tĂ« autorizimit pĂ«r marketing nĂ« KosovĂ« apo pĂ«rfaqĂ«suesit me autorizim tĂ« bartĂ«sit tĂ« autorizim marketingut“.

    Po ashtu është sqaruar se si do të vendoset për çmimin e produkteve. Përmenden disa prej shtetet fqinje.

    Burimet e tĂ« dhĂ«nave nĂ« lidhje me çmimin me shumicĂ« tĂ« produkteve medicinale janĂ« publikimet e raporteve zyrtare mĂ« tĂ« reja tĂ« kohĂ«s, portali zyrtar nĂ« rrjet i institucioneve pĂ«rgjegjĂ«se zyrtare tĂ« kĂ«tyre shteteve referente: ShqipĂ«ri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Kroaci dhe vendi i origjinĂ«s”.

    NĂ« mungesĂ« tĂ« çmimit tĂ« produktit nga shtetet e pĂ«rmendura burim i tĂ« dhĂ«nave nĂ« lidhje me çmimin me shumicĂ« tĂ« produkteve medicinale janĂ« publikimet e raporteve zyrtare mĂ« tĂ« reja tĂ« kohĂ«s, portali zyrtar nĂ« rrjet i institucioneve pĂ«rgjegjĂ«se zyrtare i shteteve tĂ« tjera referente: Slloveni, Estoni, Bullgari dhe vendi i origjinĂ«s”, thuhet nĂ« pĂ«rgjigje.

    Të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë të obliguara të kenë të paraqitur në formë të dallueshme fizike dhe/ose elektronike listën e çmimeve, nga lista zyrtare e çmimeve, të produkteve medicinale që i disponojnë, ndërsa subjektet farmaceutike do të jenë të obliguara të bëjnë deklarimin e rregullt vjetor për çmime të barnave.

    PĂ«rmes kĂ«tij ligji Ă«shtĂ« pĂ«rcaktuar edhe mĂ«nyrĂ«n se si do tĂ« bĂ«het kalkulimi i çmimeve me shumicĂ« si dhe janĂ« pĂ«rcaktuar edhe marzhat e qarkullimit (fitimit) pĂ«r qarkulluesit me shumicĂ«, ata me pakicĂ« dhe barnat gjenerike”.

    Sipas MSH-sĂ« ky ligj ka rĂ«ndĂ«si tĂ« madh sidomos pĂ«r pĂ«rcaktimin e çmimit tĂ« blerjes sĂ« produkteve medicinale nga institucionet publike “…sepse bazĂ« pĂ«r pĂ«rcaktimin e çmimit tĂ« blerjes apo tĂ« rimbursimit tĂ« produkteve medicinale nga ana e institucioneve publike pĂ«r kontraktim tĂ« produkteve medicinale do tĂ« jetĂ« Lista zyrtare e çmimeve me shumicĂ« tĂ« produkteve medicinale e publikuar nga Ministria“.

    Opozita: Projektligj sa pĂ«r sy e faqe – ka shumĂ« mangĂ«si

    Dy deputetë e Kuvendit të Kosovës njëherit anëtarë të Komisionit për Shëndetësi nuk po pajtohen plotësisht me ligjin që parasheh përcaktimin e çmimit tavan për barnat.

    Armend Zemaj nga LDK po e cilĂ«son si projektligj “sa pĂ«r sy e faqe”, ndĂ«rkohĂ« Bekim Haxhiu nga PDK po thotĂ« se ka mangĂ«si pĂ«rmend çështjen e rimbursimit.

    Sipas Zemajt, ligji aktual për barnat ka një sërë mungesash.

    Armend Zemaj – LDK

    Nga ajo çka kemi parĂ«, ka disa mungesa, Ă«shtĂ« njĂ« trajtim jo i barabartĂ« i prodhueseve vendor edhe kĂ«tu duhet tĂ« ketĂ« fokus sepse ne jemi tĂ« interesuar qĂ« tĂ« ketĂ« zhvillim tĂ« produkteve tĂ« vendeve dhe tĂ« ketĂ« çmime edhe mĂ« tĂ« ulta sesa ato qĂ« vijnĂ« nga importet dhe nuk garantohet nĂ« shumĂ« pika as cilĂ«si as siguri tĂ« barnave“.

    Në parim deklaron se do ta përkrahin një projektligj të tillë, por që do të kërkojnë përmirësime mbi të.

    Por a Ă«shtĂ« i nevojshĂ«m tĂ« kemi njĂ« ligj tĂ« tillĂ«? Po ne do ta pĂ«rkrahim dhe do tĂ« shohim nĂ«se eventualisht nga krijohet mundĂ«sia qĂ« tĂ« pĂ«rmirĂ«sojmĂ« pĂ«rmes dy leximeve qĂ« ta bĂ«jmĂ« edhe tĂ« implementueshĂ«m por edhe njĂ« ligj qĂ« nuk bĂ«het sa pĂ«r sy e faqe. Por i garanton cilĂ«si, e para tĂ« mos keqpĂ«rdorimit dhe abuzimit me çmime tĂ« ndryshme por edhe nĂ« emĂ«r tĂ« kĂ«saj fushe mos tĂ« ketĂ« ulje tĂ« cilĂ«sisĂ« edhe tĂ« sigurisĂ« sĂ« barnave“, tha Zemaj pĂ«r Insajderin.

    Bekim Haxhiu në anën tjetër potencon se projektligji i propozuar nga partia e tij vitin e kaluar është shumë më i mirë.

    Haxhiu thotë se projektligjit të propozuar nga MSH i mungojnë disa pika që ata kishin përfshirë.

    Bekim Haxhiu – PDK

    Si PDK do tĂ« bĂ«jmĂ« pĂ«rpjekje qĂ« tĂ« shtyjmĂ« pĂ«rpara projektligji pĂ«r Rregullimin e Çmimit tĂ« barnave qĂ« e kemi dorĂ«zuar para 15 muajve nĂ« Kuvendi e KosovĂ«s, sepse Ă«shtĂ« projektligj shumĂ« mĂ« i mirĂ«. Projektligji i dorĂ«zuar nga ne rregullon çmimin e barnave bazuar nĂ« çmimet referente dhe rimbursimin e tyre, gjĂ« e cila i mungon projektligjit tĂ« dorĂ«zuar nga Qeveria. Ky projektligj ka edhe mangĂ«si tĂ« tjera duke pĂ«rfshi gjysmĂ« produktet dhe marzhen e fitimit nĂ« çmim tĂ« importit dhe jo nĂ« çmim tĂ« prodhimit, qĂ« lenĂ« shumĂ« hapĂ«sirĂ« pĂ«r manipulime”, ka deklaruar Haxhiu pĂ«r Insajderin.

    Për rëndësinë e këtij ligji foli edhe gazetari që përcjell fushën e shëndetësisë, Bujar Vitija.

    Ai tha se përmes tij do të minimizohet abuzimi me çmimet nga ana e pronarëve të barnatoreve private.

    “Ky projektligj Ă«shtĂ« shumĂ« i rĂ«ndĂ«sishĂ«m pĂ«r qytetarĂ«t sepse do tĂ« nivelizojĂ« çmimet e barnave dhe do tĂ« minimizojĂ« abuzimet me çmime nĂ« barnatoret private por edhe nĂ« procedurat tenderuese. Pra pĂ«rfitimet do tĂ« jenĂ« pĂ«r qytetarĂ«t dhe buxhetin e shtetit, prandaj implementimi i tij do tĂ« jetĂ« shumĂ« i rĂ«ndĂ«sishĂ«m“, u shpreh ai.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u zotua se do të punësojnë rreth 42 inspektorë për të parë nga afër nëse po gjen zbatim ligji për çmimin e barnave, dhe këtë po e sheh si tejet të nevojshme Vitija.

    “ËshtĂ« e vĂ«rtetĂ« se janĂ« vetĂ«m 12 inspektorĂ« shĂ«ndetĂ«sorĂ« dhe po aq mĂ« duket se janĂ« nĂ« inspektoratin farmaceutik. Pra rreth 20 nĂ« total. PunĂ«simi i 42 inspektorĂ«ve tĂ« rinj Ă«shtĂ« mĂ« sĂ« i nevojshĂ«m pĂ«r tĂ« mbuluar jo vetĂ«m ligjin pĂ«r çmimin e barnave, por edhe parandalimin e abuzimeve tjera nĂ« institucionet private por edhe publike“, tha gazetari pĂ«r Insajderin.

    Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Insajderin se ligji e parasheh që brenda (3) muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të bëhet deklarimi i çmimit për produktet që kanë autorizim për marketing, të publikohet Lista, kurse brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji çdo subjekt duhet të ketë aplikuar në të gjitha produktet që ka pasur në gjendje çmimet sipas listës zyrtare të çmimeve me shumicë dhe pakicë të produkteve medicinale e publikuar nga Ministria.

    Për këtë projektligj ishte diskuar edhe në vitin e kaluar, të gjithë deputetët e Kuvendit diskutuan u pajtuan se çmimi i ilaçeve duhet të rregullohet me ligj dhe se një gjë e tillë ishte vonuar.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark