“Jemi të bindur 100% që libra me 1 shtator nuk ka me pasë” – kështu tha për Insajderin Kryetarja e kolegjiumit të DKA-ve, Besianë Musmuratit, njëkohësisht drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë derisa shpalosi detaje nga takimi i sotëm me kolegët e saj, pas propozimit të ri të Ministrisë së Arsimit që librat të blihen përmes prindërve.
Musmurati theksoi se ministrja dhe askush nga MASHT-it nuk ishte i pranishëm në mbledhje, përkundër që ftesa i ishte dërguar të parës së Arsimit.
Ajo konfirmoi se nuk ishin fare në dijeni për “opsionin e ri” të ministres për furnizimin me tekstet shkollore.
“Ne çdo herë e mbajmë një takim në fund të muajit gusht para fillimit të shtatorit ku gjithmonë e ftojmë edhe ministren. Ne takimin e kemi thirrë para 5-6 dite pa e ditë kjo puna e librave. Ne skemi qenë aspak në dijeni për këtë opsion, dhe ne e kemi thirrë ministren për krejt çështje të tjera, për përgatitjet e vitit të ri shkollor, nja dy udhëzime administrative që kemi pasur me i komentu, pra çështje të tjera, por jo kjo çështje e librave sepse kemi mëndu që librat kanë me u furnizu qysh janë bë gjithë, por dul pardje kjo e ministres mandej asocioi që ne me pas takimin pas dy dite”, tha ajo për Insajderin.
Kryetarja foli edhe për shqetësimet e paraqitura nga drejtorët, ndër to edhe mungesa e librarive nëpër disa komuna më të vogla.
“…dhe pastaj ne në mbledhje të gjithë e shprehëm shqetësimin tonë që po dojmë që mësimi me fillu me 1 shtator dhe aty kishte plotë drejtorë të komunave që treguan që ka me kanë shumë e pamundur me realizu këtë rimbursimin qysh po pretendon ministria, pastaj ishin 6-7 komuna që nuk kishin hiç librari , edhe tani ata e ngritën si shqetësim që nuk kanë me mujt me ble libra, kanë me humb orë e kështu me radhë”, deklaroi Musmurati.
Si rrjedhojë ajo sqaroi se kërkesa e vetme e tyre është që mësimi të fillojë i rregullt, me libra qysh nga 1 shtatori, por shprehet skeptike që një gjë e tillë do të ndodhi.
“Ne e kemi veç një kërkesë, me fillu mësimin në kohë dhe me libra qysh e bën ministria për neve është pak e rëndësishme, por duke i pa këto vërejtjet, dorën në zemër më të drejt drejtorët e Arsimit Komunal sepse ne e dimë vet çdo vit shkollor dhe zakonisht kur na bjen ministria me 1 shtator librat, neve na merr 10 ditë kohë me i shpërnda nëpër shkolla sepse nuk është bash aq lehtë me u shpërnda, dhe tash nëse jemi 10 ditë para fillimit të mësimit, këndej po thonë me apliku përmes E-Kosova, pastaj këto shtëpitë botuese me ua dërgu librarive merr kohë. Në Prishtinë nuk është problem, por problemi ka me qenë nëpër komunat më të vogla që e kanë një librari 20 metra katror, qysh kanë më i fornizu 20-30 mijë kopje të librave”, shtoi Musmurati.
Për opsionin e ri të propozuar të hënën nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, Musmurati thotë se e mësuan përmes konferencës.
“Edhe ne e kemi kuptu si ju përmes konferencës, dhe po ndjehemi keq sepse po mendojmë që jemi partnerë. Komplet është duke na injoruar dhe vec fakti që sot nuk erdhi kallxon vet. Tradicionalisht, partitë politike kanë ardhe dhe kanë shku por ministrja e Arsimit çdo herë, çdo muaj e ka për detyrë me i taku drejtorët komunal të Arsimit dhe ministrja nuk vjen kurrë ose jemi taku ekstremisht shumë rrallë”, ka thënë ajo derisa shtoi se do të duhej të ndodhte e kundërta, pra, ministrja t’i ftojë ata.
“Unë thashë edhe në mbledhje të Asociacionit, ne jemi për me i ndihmu ministrisë, qëllimin e njëjtë e kemi me ia nis mësimit sa më shpejt, por kështu si e kanë planifiku nuk ka kurrfarë sensi sepse nën 1) çmimet kanë me qenë më të shtrenjtë dhe nën 2) kanë me u vonu ekstremisht shumë”
Bojkot të mësimit në rast të mos furnizimit me libra me kohë
Drejtori i Arsimit në komunën e Deçanit, Besnik Hulaj për media dje kishte paralajmëruar se mund të ketë edhe bojkot të mësimit, për shkak të mungesës së librave.
Ai sot ka qenë i pranishëm në mbledhjen e kolegjimuit dhe deklartën e tij e ka sqaruar edhe vet kryetarja.
Në parim, ajo u shpreh se askush nuk është për bojkot të mëismit, por që si ajo si drejtori i Arsimit në Deçan thonë se është e vështirë mbajtja e mësimit nëse ka mungesë të librit.
“Edhe drejtori i Arsimit të Deçanit ka qenë i pranishëm ai e ka thënë në sensin se nuk e dimë qysh kemi me fillu mësimin nëse ska libra, dhe që është legjitime, edhe për neve ka me qenë sfidë. Ne jemi që mësimi me fillu dhe nuk jemi të interesuar ta ndalim mësimin por ne jemi vec të interesuar për me i ndihmu ministrisë por ne po e dimë që jemi shumë vonë , ne po dimë 100% që libra me 1 shtator nuk ka me pasë, në çfarëdo varianti me ndodhë prej praktikës po flasim”, ka thënë Musmurati për Insajderin.
Vetëvendosje bojkotoi mbledhjen e DKA-ve
Të njëjtin shqetësim sikurse shumica dërmuese e drejtorëve të drejtorive komunale të Arsimit, nuk e pati edhe ai i Podujevës, Avni Fetahu. Ai majde e ka lëshoi edhe mbledhjen Kolegjiumit të drejtorive të Arsimit.
Fetahu, tha se largimi i tij erdhi si pasojë e qasjes politike nga ana e kolegjiumit, duke shtuar se komunat në vend se të ndihmojnë po e fajësojnë MASHTI-n dhe se çështja e teksteve është politizuar.
Kësaj kritike të Fetahut në përgjigje për Insajderin i është përgjigjur vet kryetarja Musmurati.
Ajo u shpreh se është i kuptueshëm reagimi tij pasi vije nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje teksa shtoi se ai po politizonte.
“...mandej ky drejtori i Podujevës nuk u pajtua normalisht se është i Vetëvendosjes dhe kjo ishte. Kjo ska të bëjë fare me politizim, faktikisht ai bënte politizime”, u shpreh ajo teksa shtoi se në takim nuk ishin të pranishëm drejtorët e komunave me të cilat udhëheq Vetëvendosje.
“Drejtorët e komunave të Kamenicës e Gjilanit nuk kanë ardhë. As ministrja as askush nga MASHT-i”, ritheksojë drejtoresha.
Ndërkohë, gazetarja e Insajderit, të hënën ka pyetur ministren, Arbërie Nagavci se cili është raporti i MASHT-it me institucionet tjera gjegjëse. Ajo tha se për kalendarin e ri shkollor është konsultuar me të gjithë, edhe me drejtorët komunal, gjë e cila u mohua nga të njëjtit.
Sipas saj të gjithë si DKA-ët, AKK-ja, SBASHK-ut e Këshilli i Prindërve e kanë pasur të hapur mundësinë për të dhënë komente.
“Ministria e Arsimit në kuadër të kompetencave të veta mundohemi që t’i kryej të gjitha obligimet e veta për rifllimin e vitit të ri shkollor. Ne e kemi finalizuar edhe kalendarin që përcakton fillimin e vitit të ri shkollor, edhe pushimet dhe gjitha të tjerat. Në procesin e grupit punues ka pasur përfaqësues të institucioneve përfshirë besoj, drejtorë të shkollave, përfaqësues të prindërve të mësimdhënësve. Ka qenë në dëgjim publik dhe shqyrtim paraprak tashmë i kemi marrë të gjitha komentet, pra ka qenë i hapur për të gjithë ata që kanë interes dhe që mund t’i bëjnë jo vetëm këtij udhëzimi administrative por edhe tjerëve”, tha ajo përcjell Insajderi.
Nagavci shtoi se do të ketë një takim me drejtorët komunal të Arsimit në Kosovë.
“Dhe në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, po besoj që kolegët nga ministria tashmë e kanë dërguar ftesën dhe kemi planifikuar që të martën e ardhshme të takohemi me drejtorë të drejtorive komunale të Arsimit por përveç kësaj zyrtarët e ministrisë janë në vazhdimësi në bashkëpunim me zyrtarët komunal”, deklaroi Nagavci.
“Në disa raste e kam komunikimin unë vet personalisht dhe në disa raste kolegë të mija nga kabineti por në vazhdimësi nga ministria kemi kontakte…”, potencoi ajo.
Përkundër kritikave, Nagavci u shpreh se mësimi dhe furnizimi me libra “beson” se do të jetë gati qysh nga 1 shtatori. Pas 8 ditëve, do të mund të shihet nëse gjithçka do të shkojë sipas “planit” të ministrisë apo do të konfirmohet deklarata e kryetares së Kolegjiumit të DKA-ve, se tekstet shkollore nuk do të jenë gati për 1 shtator.
/GazetaInsajderi