×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    11 vjet nga marrëveshja Thaçi-Daçiq, Kurti tregon në çfarë kushte mund të diskutohet për Asociacionin

    Insajderi
    19 April 2024 - 11:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për Marrëveshjen e 19 prillit e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë që sot i bënë 11 vjet që kur u nënshkrua.

    Ai thotë se në këtë marrëveshje përfshihej edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili u pasua edhe me një marrëveshje tjetër të vitit 2015.

    Kurti tha se kompetencat e parapara për Asociacionin sipas të dyja këtyre marrëveshjeve shkelnin rëndë Kushtetutën e Kosovës, ndërsa Serbia ka vazhduar të shkelë nenet e tjera të kësaj marrëveshje.

    “Serbia asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi”, shkruan Kurti.

    Kurti ka renditur disa kushte se për çfarë mund të diskutohet për Asociacionin, duke e vendosur si kusht të parë zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes dhe aneksit të saj.

    Postimi i plotë:

    Sot bëhen 11 vjet nga Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Thaçi e Daçiq.

    Marrëveshja i ka 15 nene ku 6 nenet e para merren me një “Asociacion/Bashkësi të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë”.

    Nenet tjera në vijim merren me integrimin e komunitetit serb në institucione të Kosovës, çështjen e energjisë dhe pajtimin që të mos pengohet rrugëtimi i njëri-tjetrit drejt integrimit në BE.

    Zbatimi i neneve për ‘Asociacionin’ u përcoll me një marrëveshje tjetër të parimeve të përgjithshme/elementeve kryesore që u pat arritur dy vjet më vonë, më 25 gusht të vitit 2015, nga kryeministrat e asaj kohe Mustafa dhe Vuçiq.

    Kjo e fundit përfundoi në Gjykatë Kushtetuese në dhjetor të atij viti. Doemos, pasi që marrëveshja e vitit 2015 buronte nga ajo e vitit 2013, gjykata u mor me të dyja.

    Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj tha se kompetencat e parapara për ‘Asociacionin’ sipas të dy marrëveshjeve, shkelnin parimet e kushtetutës, karakterin multietnik të shtetit dhe cenonin rëndë rendin juridik.

    Pas këtij vendimi të Gjykatës ku ‘Asociacioni’ me fushëveprimin dhe kompetencat e parapara shkelte rëndë Kushtetutën, marrëveshja u shkel nga Serbia në nenet tjera të saj.

    Serbia asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi.

    Para 11 vjetëve u arrit një marrëveshje e cila, në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia.

    Vitin e kaluar kemi arritur një Marrëveshje të Re Bazike e cila, në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’.  

    Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë.

    Nuk mund të flasim e diskutojmë vetëm për ‘Asociacionin’:

    – pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshjen Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) me Aneksin e Zbatimit (Ohër, 18 mars 2023);

    – pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel (neni 10 i Marrëveshjes Bazike);

    – pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia kurse vazhdimi i saj Mustafa-Vuçiq (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese.

    E sot u bënë 11 vjet edhe nga zotimi i njëanshëm i ish-kryeministrit Thaçi në Bruksel te sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, se FSK nuk do ta kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it. Në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut (30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Serbisë) do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë!

    Qeveria jonë ka shumë më tepër probleme të trashëguara për progresin e Kosovës sesa sfida të kohës. E përkundër të gjitha atyre, po ia dalim me sukses.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark