×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    15 milionët e fituara nga oligarku Grigor Joti prej ministrisë së Sveçlës denoncohen edhe në parlament

    Insajderi
    28 March 2024 - 16:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    E negociuar dhe larg syve të publikut. Prapaskena e dhënies së 15 milionë eurove për oligarkun Grigor Joti nga Ministria që drejtohet nga njeriu i fuqishëm i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla është denoncuar edhe në parlament. Gazeta Insajderi sjell detaje nga hulumtimi që kishte publikuar muaj më parë për këtë kontratë dhe një tjetër që Grigor Joti mori nga Ministri Arben Vitia.

    Gazeta Insajderi

    Në fillim të vitit të kaluar Gazeta Insajderi pati publikuar hulumtime që zbulonin kontratat e negociuara që po përfitonte oligarku Grigor Joti nga Qveria e Kryeministrit Albin Kurti.

    Kontratat ishin të negociuara, larg syve të publikut, formë kjo e kritikuar në vazhdimësi si metodë e dyshimtë për afera korruptive.

    Qeveria Kurti është denoncuar tashmë publikisht për rikthimin e fenomenit të kontratave të negociuara, dhe për kampion në këtë punë- krahasuar me qeveritë e kaluara. Një tendencë për të themeluar një komision hetimor parlamentar për tenderët një burimor të Qeverisë Kuti ka dështuar të enjten.

    Për tenderin prej 15 milionë eurosh që Ministria e Punëve të Brendshme që drejtohet nga Xhelal Sveça dhënë firmës Infosoft System të Grigor Jotit, për të cilën raportoi Gazeta Insajderi, të enjten është folur edhe në Kuvendin e Kosovës.

    Deputetja e opozitës, Hykmete Bajrami tha se Ministria Sveçlës ka refuzuar një kompani për t’i dhënë 9.7 milionë euro një tender për shërbime të IT-së, për të shkuar me kontratë të negociuar me një kompani tjetër e për t’i dhënë kësaj 15 milionë euro tender.

    “Ka pasur justifikime të tilla që nuk flitet për 781 tenderë njëburimorë, por disa prej tyre janë tenderë me të cilët Autoritetet Kontraktuese kanë negociu me një apo dy operatorë ekonomikë. Në momentin që nuk bëhet shpallje publike ku mund të marrin pjesë të gjitha kompanitë për të ofru ato shërbime, por zgjedh në mesin e të shumtëve të negociojë me një apo dy, ky është dyshim korrupsion. Përpos dyshimit për korrupsion, sepse kjo përfundimisht bëhet me kompanitë që i njeh, këtu kemi edhe dëmtim të buxhetit. E pamë sikurse te rasti i shërbimeve të IT-së tek MPB-ja. Oferta prej 9.7 milionë euro është refuzu për të shkuar me kontratë të negociume dhe për t’u bërë kontratë 15 milionë euro. Do të thotë më shumë se 5 milionë euro i kemi humbur vetëm në një procedurë të negocimit. Ky është dëmtim i buxhetit dhe keqpërdorim i taksave të qytetarëve të vendit”, tha Bajrami, deputete e LDK-së.

    Ajo po fliste për tenderin që në platformën elektronike të tenderëve është publikuar si “Furnizim me licenca te Microsoft-it për IRK dhe Edukim”.

    Sipas të dhënave publike, njoftimi për nënshkrim të kontratës u publikua në fund të marsit 2023 dhe firma ” INFOSOFT SYSTEMS ” SH.P.K u shpërblye me 14,988,509.87  euro- kontratë e negociuar.

    Kompania Infosoft System, siç u raportua më herët, pos nga Ministria e Sveçlës kishte marrë një tender të majmë edhe nga Ministria e Shëndetësisë

    700 mijë eurove iu kishin dhënë nga dikasteri që udhëhiqet nga Arben Vitia i VV-së, dhe me këtë i ishte besuar mirëmbajtja e 70% të Hardëerit të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), që konsiderohet baza e sigurimeve shëndetësore.

    Për dallim nga tenderi i Sveçlës, në atë të Arben Vitisë ishte përdor procedura e hapur. Megjithatë kishte veç një aplikues, Infosoft, që edhe e fitoi kontratën në fund.

    Historia e errët mbrapa aksionarit të kompanisë

    Pronari i kompanisë Infosoft, Grigor Joti, që përfitoi afro 15 milionë euro nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti akuzohet për mashtrime pikërisht në fushën e prokurimit publik në Shqipëri.

    Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kishte ngritur kallëzim penal në vitin 2022 ndaj tij. Aty thuhej se Grigor Joti ka përvetësuar 4.5 milionë Euro, me lëshim faturash tatimore false për TVSH e shitjes së cigareve.

    Këto fatura ishin lëshuar nga dy bizneset fantazmë, “Inter Distribution Services” dhe “INTER TRADE& DISTRIBUTION ” të Grigor Jotit.

    Për 4.5 milionë Euro që dy firmat e Grigor Jotit të “InfoSoft” i dyshohet se ia kishin vjedhur shtetit me mashtrim tatimor, prokuroria e Tiranës kishte konstatuar se faturat hartoheshin nga vëllai i tij Roland Joti, nga familjarja e tyre Ana Zervoi administratore dhe dy punonjës të firmave përkatëse.

    Faturat ishin lëshuar në emër të një subjekti privat me emrin “Lindita Spaho” e Nipt: L322170441I;, e cila sipas regjistrit të tatimeve, rezulton e vetëpunësuar shitëse në treg, jashtë detyrimit të taksimit me sistemin e TVSH, raportojnë mediet shqiptare.

    Joti i pati shpëtuar në mënyrë të pakuptueshme kallëzimit të KLSH-së për falsifikim faturash. Gjykata e Tiranës nuk e çoi rastin në Dhomë Penale për fillim procedure gjykimi.

    Biznesmeni Joti aksionet e firmës Infosoft ia pati kaluar Frederik Prodanit dhe Gëzim Dobit.

    Kjo lëvizje, sipas mediave shqiptare, u bë për të fshehur gjurmët.

    Gjithsesi në dokumentet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ai vazhdon të jetë anëtar bordi në këtë firmë. Kjo do të thotë se Joti është drejtuesi dhe mbikëqyrësi kryesor i këtyre operacioneve financiare./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark