Rikthimet e Angel Di Maria, Paul Pogba dhe Romelu Lukaku kanë treguar të paktën se futbolli italian ende ushtron një sharm të mirë tek ata që e kanë njohur tashmë dhe kanë fituar atjy, por edhe te kampionët që, pavarësisht se kanë arritur në fazat e fundit të karrierës së tyre, ende duan ta trajtojnë veten për të paktën një sezon në nivele të larta, me ambicien për të fituar në Itali e ndoshta edhe në Evropë, për të qëndruar brenda rrethit të kombëtares së tyre.
Për një kampionat që është shprehja e një kombi që ka dështuar të kualifikohet në dy Botërorët e fundit, tashmë është një arsye kënaqësie, por distonia me atë që ishte e zakonshme në vitet ‘80-‘90 mbetet evidente dhe e dhimbshme. Veçanërisht në ditën e 25-vjetorit të prezantimit të një prej yjeve të fundit që ka zgjedhur Serie A në kulmin e karrierës së tij dhe kur emra të tjerë të mëdhenj të futbollit botëror ishin tashmë në gjurmët e tij.
Referenca është për Luis Nazario da Lima, i njohur nga të gjithë si Ronaldo, i cili më 25 korrik 1997 u prezantua me stil madhështor në selinë e atëhershme të Interit në “Via Durini”, në prani të presidentit Massimo Moratti dhe këshilltarit të merkatos, Luis Suarez.
Një muaj më herët, Interi kishte përcaktuar blerjen e një prej sulmuesve më të fortë në historinë e futbollit të të gjitha kohërave, në atë kohë vetëm 21 vjeç, sigurisht një nga sulmuesit e parë më anormalë dhe unikë ndonjëherë, për teknikën, shpejtësinë dhe nuhatjen e golit, të paktën përpara se lëndimet t’i shkatërronin karrierën.
Për ta rrëmbyer nga Barcelona, klubi me të cilin sapo kishte rinovuar kontratën, Interi pagoi vlerën e plotë të klauzolës së lirimit, e barabartë me 48 miliardë lira, por prezantimi zyrtar u bë pikërisht më 25 korrik 1997, plot 25 vite më parë:
“Sapo ka gdhirë një fillim i ri, një ditë e shkëlqyer për mua. Unë po vij tek Interi për të fituar titullin”, – tha në prezantim Ronaldo, dukshëm i emocionuar, duke parë nga ballkoni i selisë së Interit dhe përshëndetur një valë të tifozëve zikaltër, që e brohorisnin.
Me ardhjen e “Fenomenit”, tifozët e Interit mundën t’i rikthehen ëndrrës për të shkëlqyer në Itali, në një epokë kur sapo kishte përfunduar cikli i Milanit të madh dhe ai i Juventusit. Megjithatë, vetëm pesë vite më vonë, për të njëjtët tifozë të Interit, Ronaldo u kthye në një “armik” me zgjedhjen për t’u transferuar te Real Madridi, me arratisjen e famshme të natës, disa javë pas zhgënjimit të 5 majit, kur zikaltërve iu iku titulli nga duart në frymën e fundit.
Lot dhe zemërim, i njëjti i përjetuar nga Ronaldo në një ditë tjetër 25, por në prill të 1997-ës, kur përplasja e famshme me Mark Iulianon në zonën e Juves orientoi garën drejt titullit të një kampionati të helmuar. Mes dy zhgënjimeve, Ronaldo arriti të fitonte vetëm një titull me Interin, Kupën UEFA 1998 si protagonist, por mbi të gjitha pësoi dy dëmtime të tmerrshme në gjunjë, në nëntor 1999 dhe në prill 2000, të dyja në tendinën patelare, çka kushtëzoi pjesën e dytë të një karriere të suksesshme.
Me Brazilin fitoi Kupën e Botës 2002 (pasi fitoi pa luajtur atë të 1994) dhe “Francë 1998”. Provoi të vishte edhe fanella të tjera gjigantësh si Real Madridi dhe Milani.