×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    25 vjet nga ndërhyrja e NATO-s, Gërvalla: Luftuan regjimin serb, e kthyen drejtësinë në Kosovë

    Insajderi
    24 March 2024 - 19:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-së në Kosovës ka thënë së aleanca perëndimore ka luftuar regjimin serb, për ta mbrojtur Kosovën.

    Ajo tha se NATO ka kthyer drejtësinë dhe ka shpëtuar shqiptarët e Kosovës.

    “Sot mbushen 25 vjet nga 24 marsi 1999, kur aleanca më e madhe ushtarake e të gjitha kohërave, NATO, filloi sulmet ajrore kundër caqeve serbe për të ndaluar më në fund dhunën sistematike serbe, brutalitetin, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin ndaj një populli të pafajshëm. Për herë të parë që nga themelimi i saj, NATO po vepronte me forcë dhe po e bënte këtë për të mbrojtur jetën e njerëzve të pafajshëm, për të ruajtur paqen botërore dhe për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga shfarosja. Në zemër të Evropës, aleanca perëndimore po sulmonte regjimin serb që kishte një forcë ushtarake, paramilitare e policore të organizuar e të sofistikuar, por barbare për nga etika duke mbrojtur kështu edhe të drejtat e njeriut, lirinë e demokracinë, thjesht qytetërimin. Duke sulmuar regjimin gjenocidal serb, NATO po mbronte njerëzimin”, shkroi Gërvalla në Facebook.

    Sipas Gërvallës shqiptarët e Kosovës kanë dëshmuar vendosmëri, qëndresë, durim dhe luftë kundër robërisë.

    “Po, si e gjetën sulmet ajrore të NATO-s shqiptarin e Kosovës? Kur u dëgjuan shpërthimet e para mbi makinerinë e mbi objektet serbe, shqiptari i Kosovës tashmë kishte mbushur një shekull që po luftonte kundër pushtimit, kolonizimit, robërisë, urisë, dhunës sistematike, shpërnguljes, dehumanizimit e përbuzjes. Shqiptari i Kosovës kishte qëndruar me forcat e veta kundër elaborateve e planeve të sofistikuara për pastrim etnik e deportim masiv e të plotë. Me një fjalë, kur zogjtë e hekurt të aleancës së NATO-s po niseshin drejt makinerisë vrastare serbe, shqiptarët e Kosovës po mbushnin një shekull që kishin derdhur djersën, lotin e gjakun për të jetuar të qetë e me dinjitet në tokën e tyre, Kosovën. Ata kishin dëshmuar vendosmëri, qëndresë, durim, përpjekje mbinatyrore e këmbëngulëse, gjakim për paqe, por edhe luftë kundër robërisë e për mbijetesë”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark