×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    320 gjoba për lokalet ku u konsumua duhani- Gastronomët ankohen për humbje të klientëve dhe trajtim jo të barabartë

    Insajderi
    26 April 2023 - 16:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nga marsi i këtij viti zyrtarisht ka nisur inspektimi për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për duhanin. Deri më tani 320 gjoba janë shqiptuar nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ky vendim ka ndikuar në humbjen të klienteles tek disa lokale në Prishtinë. Dy prej pronarëve kanë folur për Gazetën Insajderin.

    Shifrat e gjobave të shqiptuara për Insajderin i ka konfirmuar zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

    Në vazhdën e inspektimeve për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit të duhanit. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes inspektoratit sanitarë si trupë inspektuese kompetente për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit, deri më tani ka shqiptuar rreth 320 gjoba, për persona juridik dhe fizik, si shkelës të hasur gjatë inspektimit”, ka thënë Thaçi.

    “Gjoba janë shqiptuar për secilin shkelës pa dallim”, ka deklaruar zëdhënësi i AUV-it  teksa shtoi se ka pasur raste që një operator është dënuar më shumë se dy herë.

    Ne jemi duke vazhduar me kontrolle dhe toleranca do të jetë zero ndaj secilit shkelës. Ka pasur raste kur një operator është gjobitur dy e më shumë herë. Inspektori në secilin rast apo në secilin inspektim, në proces shkruan gjendjen faktike në qoftë se ai ajo bie ndesh me ligjin pason gjoba”, u shpreh ai.

    I pyetur se në cilat komuna është më i kënaqshëm numri i ligj zbatueseve të duhanit, Thaçi tha se “Nuk kemi bërë ndonjë vlerësim regjional apo komunal për shkallen e zbatimit të ligjit”, ndërkohë që shtoi se janë duke u trajtuar barbarët, secila shkelje po ndëshkohet dhe kjo frekuencë kontrolli do të vazhdojë.

    Por me pjesën e trajtimit të barabartë, nuk po pajtohen disa nga prej gastronomëve në Prishtinë.

    Nuk ka trajtim të barabartë – ankohen pronarët e lokaleve në Prishtinë

    Valon Majanci, pronari i lokalit “Brando”, në Prishtinë u shpreh i zhgënjyer me qasjen e inspektorëve. Thotë se ka lokale që s’po e respektojnë ligjin, dhe nuk po dënohen.

    E kjo gjë sipas tij po e dëmton atë sepse klientela po kërkojnë vende ku guxojnë të konsumojë duhan.

    Ndikimi ka qenë i madh. Klientela po hezitojnë me u ulë pa duhan. Ne e kemi prej se operojmë te ndarë pjesën ku pihet duhani në terrasë dhe pjesën brenda ku nuk pihet. Në ditët e ftohta dhe me shi e kemi mbyllur atë pjesën e terasës por gjithmonë duke e respektuar ligjin në pjesën e brendshme të lokalit”, u shpreh ai.

    Një tjetër çështje që ai dhe pronari i tavernës “Ballkan”, Albert Maliqi e përmendin është pjesa e terrasave gjysmë të hapura.

    “…Tash neve na është ndalur edhe tek terrasa e mbyllur. Një prej arsyeve pse po dëmtohemi është edhe që disa lokale nuk po e respektojnë këtë ligj dhe nuk po gjobitën (arsyet i di Inspeksioni se pse) dhe pastaj klientët po i frekuentojnë ato lokale, që i bie se ligji nuk është duke u zbatuar në mënyrën e duhur”, u shpreh Majanci për Insajderin.

    Çështja e ndalimit të cigares ka ndikuar bajagi shumë në punën tonë si gastronomë. Problemin më të madh e kemi tek këto terrasat me çadra ose gjysmë të hapura, që ka kohë që janë të vendosura, e ku as aty spo lejohet pirja e cigares. Meqë është gjysmë e hapur, po besoj që nuk ishte dashte me u bë problem. Është e pakuptueshme me u ndalu njerëzit me pi cigare të paktën në këtë pjesë të lokalit”, ka thënë Maliqi për Insajderin.

    Përkundër pakënaqësive të pronarëve të lokaleve, zëdhënësi i AUV-it tha se synimi është që ligji të zbatohet në tërësi, dhe se për këtë do të punojnë fort.

    Kultura e duhan pirësve duhet të ndryshoj. Bëhet fjalë për ruajtje të jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, theksoi ai.

    Në vitin 2013 ka hyrë në fuqi Ligji për Duhanin, i cili ndalon 100 për qind pirjen e duhanit në hapësira të mbyllura në vende publike me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të gjeneratave të tanishme dhe të ardhshme nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore të konsumimit të duhanit dhe ekspozimit ndaj tymit të duhanit.

    Ligji thekson se dënimi për shkelësin fizik ose qytetarin është 50 euro, për përgjegjësin e hapësirës 500 euro dhe personin juridik apo për subjektin afarist kjo vlerë arrin në 3,000 euro. 

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark