×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    38-vjeçarja s’ka para ta paguajë shërimin nga gabimi i doktorit, ka kaluar në depresion

    Insajderi
    28 February 2024 - 21:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Më 19 prill të 2023-ës, Shukrie Mehmeti u fut në ndërhyrjen e dytë. Kjo ngase për gabimin që kishte ndodhur gjatë largimit të tumorit nga mitra, operim ky i kryer nga gjinekologu obstetrik, Amet Ibro, i ishte dëmtuar kanali urinar.

    Për dallim nga ndërhyrja e parë, tashmë pacientja nuk kishte nevojë të mendonte për paratë

    Gabimin e shkaktuar nga doktori Amet Ibro tashmë po detyrohej ta përmirësonte, për aq sa ishte e mundur, doktori Taner Yusuf, urolog.

    Një gjë të tillë, Mehmeti e kishte kuptuar kur kishte filluar të urinonte në mënyrë të pavetëdijshme dhe të pakontrolluar.

    Në bisedat e siguruara nga emisioni, shihet se Yusuf i kishte thënë pacientes që ndërhyrja do të kryhet, mirëpo nuk ka nevojë të nxitohet.

    Lidhur me këtë, Kiksi ka insistuar të marrë edhe një qëndrim të urologut Taner Yusuf, mirëpo i njëjti nuk u është përgjigjur mesazheve dhe thirrjeve të emisionit.

    Ndërhyrja u krye, por sipas 38-vjeçares, nuk doli me sukses.

    Shukrie Mehmeti ishte e vendosur që këtë punë ta çonte deri në fund. Pasi që u cilësua si “gënjeshtare” nga spitali, ajo u nis për në Policinë e Kosovës, por duket se shkuarja aty i doli huq, meqë sipas saj, kallëzimin e saj policia nuk ia cilësoi si vepër penale.

    I frikesuar nga përballja me drejtësinë, sipas Mehmetit, doktori Amet Ibro i kërkoi të heqë kallëzimin penal në këmbim të njëmijë eurove.

    As kjo ofertë nuk ia mbushi mendjen. Mehmeti donte që fajtori të marrë përgjegjësi deri në kthimin e gjendjes së saj të mëparshme shëndetësore.

    Ankesë bëri edhe në Odën e Mjekëve të Kosovës, të cilët ndonëse në raportin e ekspertizës përmendën dhe e pranuan lëndimin e fshikëzës urinare, ankesën ia refuzuan si të pabazuar.

    Gati një vit pas lëndimeve që mori nga ndërhyrja e parë kirurgjikale, Shukrie Mehmeti ka aplikuar në Zyrën e skemave invalidore në komunën e Podujevës, meqë sipas saj, nga gabimi i doktorit Amet Ibro, mbeti me aftësi të kufizuara.

    Lidhur me këto probleme, Mehmeti thotë të ketë kontaktuar edhe me një spital në shtetin turk, i cili i ka dërguar rekomandimet dhe ofertën financiare për kryerjen e ndërhyrjes, mirëpo një kosto të tillë, 38-vjeçarja thotë se nuk mund ta përballojë.

    Sfidat e vitit të fundit, Mehmetit ia kanë ndryshuar jetën për të keq. Lëndimet në fshikëzën urinare nuk janë problemi shëndetësor i vetëm me të cilin ajo lufton.

    E gjithë kjo fazë tmerri e jetës së saj ka bërë që Mehmeti të hyjë në një fazë depresive.Kiks Kosova/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark