×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    50 gratë më të fuqishme në botën e biznesit

    Insajderi
    12 October 2017 - 21:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Revista Fortune ka nxjerrë listën e sivjetshme me 50 gratë më të fuqishme të botës së korporatave. Në listë përfshihen drejtuese ekzekutive në korporata globale si Mary Barra e General Motors dhe Indra Nooyi e Pepsit. Listës i janë shtuar shtatë emra të rinj, ndër to është një latino-amerikane që drejton një ndër 500 kompanitë më të fuqishme të botës.

    Në numrin e këtij muaji, revista Fortune ka një artikull biografik mbi Indra Nooyi, e cila renditet e dyta në listën e 50 grave më të fuqishme. 61-vjeçarja Nooyi është shefe ekzekutive e kompanisë PepsiCo, një ndër prodhuesit kryesorë globalë të ushqimit dhe pijeve me të ardhura neto mbi 63 miliardë dollarë, transmeton Zëri i Amerikës.

    Në takimin e 19-të vjetor në Uashington, zonja Nooyi thotë se kompania e saj ka përqafuar prirjet e reja për t’iu përshtatur evolimit të shitjeve me pakicë.

    “Për kompani si e jona që e mbështesin modelin e shitjeve tek vendimet impulsive të konsumatorit, gjë që kërkon që konsumatori të nxitet me imazhin e produktit, na duhet të gjenim mënyra të reja për ta krijuar këtë impuls. Prandaj analizojmë ndryshimet që po ndodhin në treg për të indentifikuar mënyrat e reja të veprimit. Është ndoshta momenti më interesant për të drejtuar një kompani ushqimi e pijesh, por mund të jetë edhe momenti më i frikshëm,” thotë zonja Nooyi.

    Zonja Nooyi ka qenë disa herë në këtë listë, po ashtu edhe shefja ekzekutive e kompanisë General Motors Mary Barra, e cila për të tretin vit ndodhet në vend të parë.

    Në vend të 13-të është një emër i ri: Geisha Williams, e lindur në Kubë, e cila tani drejton kompaninë më të madhe elektro-energjetike të Kalifornisë. Ajo është e para latine, e lindur jashtë Shteteve të Bashkuara që përfshihet në listën e revistës Fortune.

    “Ndjehem shumë e nderuar dhe e prekur që historia ime gjeti jehonë ndër ata që kanë lindur në një vend tjetër, që erdhën si imigrantë, që nuk e kishin anglishten gjuhën e nënës. Për ta unë jam shembull se çdo gjë mund të arrihet në këtë vend,” tha zonja Williams.

    Në vend të 40-të është nënpresidentja e IBM-it, e cila drejton një divizion të krijuar rishtazi që po punon për të zhvilluar teknologji për të reaguar në moment kur një sistem operimi ka avari:

    “Për shembull në sistemin që po zhvillojmë ne, brenda 2 sekondash identifikohet dhe veçohet një problem në zinxhirin e sigurisë ushqimore. Ndërsa aktualisht në praktikë, në kompanitë më të shpejta në reagim duhen 6 ditë e 18 orë. Mendoni sa njerëz sëmuren pasi problemi nuk kapet brenda 2 sekondash, por pas gjashtë ditësh,” thotë zonja Bridget Van Kralingen.

    Lista përfshin një numër figurash që drejtojnë kompani në sektorë që nga informatike, tek automjetet e shitja me pakicë.

    “Ne analizojmë të ardhurat e kompanisë ose të divizionit që këto gra drejtojnë, vlerën e kompanisë në treg dhe luhatjet e kësaj vlere gjatë viteve. Pra ka një proces specifik në zgjedhjen e këtyre emrave në listë. Ne duam të analizojmë edhe ndikimin që kanë këto gra, gjë që nuk është shumë e lehtë,” thotë Michal Lev-Ram e kompanisë “Fortune”.

    Ann-Marie Campbell që drejton kompaninë Home Depot mbetet e vetmja afrikano-amerikane në listë. Gratë afrikano-amerikane ndeshin sfida specifike në ngjitjen në karrierë në korporata:

    “Kur flasim me gra afrikano-amerikane në pozicione drejtuese mësojmë se duhet të punojmë më shumë që të sjellim më shumë gra në këto poste,” thotë zonja Lev-Ram.

    Ajo thotë se kjo do të shtonte numrin e grave që ngjisnin shkallët e karrierës në korporata.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark