×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Një hajn i ri çdo 39 sekonda – Siguria Kibernetike në Kosovë

    Insajderi
    07 August 2020 - 09:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sipas Univeristetit të Mariland, hakerët ju sulmojnë çdo 39 sekonda, mesatarisht 2,244 herë në ditë. Dega e Void International në Kosovë e ka për mision mbrojtjen e bizneseve nga këto sulme, trajnimin, këshillimin dhe ngritjen e vetëdijes dhe sigurisë së përgjithshme.

    Sipas korporatës IBM, koha mesatare për ta identifikuar një ndërhyrje të hakerëve në 2019 ka qenë 206 ditë, duke vërtetuar se hakerët tashmë kanë kapacitete që të qëndrojnë brenda sistemeve tona për muaj të tërë pa u detektuar nga askush, gjatë së cilës kohë ata mund të vjedhin dhe dëmtojnë bizneset dhe organizatat viktima.

    Gjiganti Amerikan i telekomunikimit Verizon raporton se 43% të viktimave të hakerëve janë biznese të vogla, ndërsa sipas liderit global të sigurisë kibernetike Symantec, organizatat e vogla me 1 deri 250 punëtorë kanë shkallën më të lartë të sulmeve të targetuara përmes emailit. Në Kosovë pothuajse të gjitha bizneset dhe organizatat janë të kësaj madhësie, dhe Void International po angazhohet që sa më pak nga ato të bien viktima të hakerëve.

    Në botën tonë moderne të internetit dhe pajisjeve digjitale, çdo 39 sekonda ne sulmohemi nga një hajn i ri kibernetik, dhe humbim të dhënat e paratë tona si viktima të hakerëve rusë, kinezë, koreanë, iranianë por edhe të atyre vendorë. 

    Çka i motivon hakerët?

    Në të kaluarën në Kosovë dhe rajon hakerët ishin kryesisht të rinj që sulmonin faqet në internet të bizneseve dhe institucioneve për të promovuar kombin e tyre dhe për të provokuar palën tjetër. Kjo tashmë ka ndryshuar, kur hakerët kryesisht janë pjesëtarë të grupeve të krimit kibernetik, të motivuar nga përfitimet financiare.

    Gjithsej 71% të sulmeve janë të motivuara financiarisht, ndërsa 25% të motivuara nga spiunazhi. Një numër i madh i bizneseve kosovare tashmë kanë rënë viktimë e sulmeve, që sipas Void International kanë vlerë mesatare të dëmit prej 119,700 euro. Në shumë raste Void International ka arritur të parandalojë sulme të tilla, ose të reagojë për të mbrojtur të dhënat dhe financat e klientit, por reagimi është shumë më i vështirë sesa parandalimi.

    Sipas ekspertëve të Cybint Solutions, 62% të bizneseve kanë rënë viktimë e sulmeve kibernetike në vitin 2018, ndërsa matjet e Varonis tregojnë se vetëm 5% të të dhënave të bizneseve janë të mbrojtura në mënyrë të duhur. Shumica e bizneseve investojnë në siguri vetëm pasi të kenë rënë viktima të sulmit, atëherë kur është vonë dhe shumë më e kushtueshme. 

    Si të mbrohemi?

    Informata shpeshherë është mbrojtja më e mirë. Në një mjedis ku 34% të ndërhyrjeve të hakerëve përfshijnë akterë të brendshëm, trajnimi për siguri kibernetike i stafit të kompanive është i domosdoshëm. Void International ka investuar në pako dhe ekspertizë të trajnimeve si për stafin e teknologjisë informative, ashtu edhe për menaxhmentin dhe punëtorët tjerë të bizneseve kosovare, duke u përshtatur me rrethanat vendore.

    Meqenëse 51% të bizneseve tashmë kanë përjetuar sulme Denial of Service, mbrojtja kibernetike domosdoshmërisht duhet ta përfshijë infrastrukturën e biznesit poaq sa punëtorët dhe menaxhmentin e kompanisë. Bizneset duhet të kryejnë investime në rrjeta, pajisje dhe licenca për teknologji mbrojtëse, të cilat janë shumë më pak të kushtueshme sesa dëmet e shkaktuara nga hakerët. Void International ka ekip të specializuar për këshillim të bizneseve në mënyrë që me shpenzime minimale të arrihet efekti maksimal mbrojtës.

    Sipas Verizon, 94% e viruseve dhe malware (programeve malinje) pranohen përmes emailit. Duke ditur këtë, Void International i këshillon dhe trajnon klientët që t’u kushtohet vëmendje e shtuar çështjeve të sigurisë së emailave dhe trajnimit të stafit për sjellje të sigurte dhe të vetëdijshme në raport me emailat, duke evituar klikimin dhe hapjen e programeve malinje, dhe duke verifikuar origjinën dhe origjinalitetin e përmbajtjes. 

    Cila është e ardhmja?

    Sipas Verizon, 15% e sulmeve të hakerëve targetojnë sektorin e shëndetësisë, 10% sektorin e financave dhe 16% sektorin publik, duke bërë kështu spitalet, bankat dhe institucionet shtetërore cak primar të sulmeve të rrezikshme, dhe duke rrezikuar edhe vetë jetën, financat dhe sigurinë e secilit qytetar.

    Sipas Gartner në 2020 shërbimet e sigurisë kibernetike përbëjnë 50% të shpenzimit të përgjithshëm të sigurisë së bizneseve. Në realitetin tonë të ri, më të rëndësishme janë investimet në mbrojtje kibernetike, sesa investimet e vjetra në siguri fizike, rojtarë, kamera të sigurisë dhe rrethoja objektesh.

    Cybersecurity Ventures parasheh se deri më 2021 do të ketë mungesë prej 3.5 milion specialistësh të sigurisë kibernetike në botë. Edhe sot numri i specialistëve që largohen nga Kosova për punësim në vende perëndimore është në rritje dramatike, duke na alarmuar për rrezik serioz nëse nuk rritet investimi i bizneseve në trajnime dhe shërbime të sigurisë kibernetike.

    Void International është kompani e përqëndruar në rritje të sigurisë, mbrojtje të bizneseve, dhe sanim të dëmeve të shkaktuara nga hakerët. Ne investojmë çdo ditë në rritje të kapaciteteve vendore dhe në trajnim të gjeneratës të re të ekspertëve mbrojtës.

    Ne po investojmë. Si po i shpenzoni ju 38 sekondat e mbetur?

    *Butrint Komoni është themelues i Void International dhe është një nga top 5 ekspertët e rinj të sigurisë kibernetike në botë, poashtu fitues i të gjitha garave të sigurisë kibernetike në Kosovë përgjatë 5 viteve të fundit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark