×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Viti 2025

    Insajderi
    10 September 2020 - 13:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Koha kur pritej të zgjidheshin problemet në Ballkan ishte përmendur si datë e mundshme e futjes në Bashkimin Evropian. Por, historia e vetë kontinentit dhe e botës ka treguar se edhe shoqëritë më të zhvilluara kanë probleme me demokracinë dhe duhet jetuar me gjenerata në botëkuptime të tilla që këto elemente të jenë të garantuara

    Jovani, kishte vite që ishte punësuar në hekurudhat e Serbisë. Këtë mëngjes të ftohtë të fundit të verës kishte zënë pak vesë mbi shina dhe njehej si lagështi. Në orën 06 të mëngjesit ishte veshur me uniformën e hekurudhave. Ai çdo ditë përcjellë trenat në linjat Beograd-Sarajevë, Zagreb, Podgoricë, por edhe atë Beograd-Prishtinë-Tiranë e deri në Durrës. Ky mëngjes, përveçse krijon një ndjenjë të rrejshme për një ditë të freskët, nuk dallon nga çdo ditë e zakonshme. Kur gjithçka është bërë gati Jovani ngritë dorën dhe fillon e fëshkëllinë fuqishëm. Treni zviceran me vete kishte 16 kupe transporti dhe 10 për pasagjerë. Në pjesët e prapme ishin ngjitur ngarkesat dhe secila kupe kishte nga një fat të veçantë dhe destinacion. Treni Beograd-Durrës do të bënte rrugës vetëm disa ndalesa. Në pjesët e përparme disa biznesmen nxitojnë në klasin e parë, disa zonja dhe disa të huaj që kërkonin kryesisht restorantin që ndodhej tek vagoni i gjashtë në mes.

    Treni niset avash, por mund të arrijë edhe shpejtësinë deri mbi 200 km/h gjatë udhëtimit të tij të vrullshëm në hekurudhën e ndërtuar para disa vitesh. Janë bërë vite që kur u arrit marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe kjo i hapi rrugë tërë Ballkanit që të zhvillohet dhe të mund të ndryshoj fokusin e saj nga politikat nacionaliste drejt atyre të bashkëpunimit siç ishte projekti i kritikuar në fillim, por shumë i suksesshëm: Mini-Shengeni Ballkanik. Zgjidhja në mes të Kosovës dhe Serbisë ndikoi në ripajtim pasi u zbuluan shumica e krimeve të luftës, fati i të pagjeturve dhe u kërkua falje për ato që kanë ndodhur dhe u krijua një atmosferë besimi. Në fillim kishte kundërshti, por realizimi praktik i hapi rrugë krijimit të bizneseve të përbashkëta dhe investimeve duke e kthyer Ballkanin në një treg të përbashkët, por edhe në një gjendje të zakonshme bashkëpunimin pasi shtetet u lidhën në atë formë sa tani nuk mund të kalojnë njëra pa tjetrën.

    Katër vjet pas vendosjes së hekurudhës dhe modernizimit të traseve hekurudhore, tani këtu trenat shkojnë me shpejtësi maksimale, gjë që e ndihmoj komunikimin, uli ndotjen, krijoj kushte të favorshme. Përveç kësaj, vendet u lidhën edhe me linja të lira avioni dhe ato ndodhin tani në gjendje normale dy herë në ditë. Disa minuta pas fishkëllimave të Jovanit, treni nisi të lëviz rrotat gjithnjë e më shpejtë, pa u dëgjuar zhurmë, në një mjedis të brendshëm të pastër steril dhe me shërbim fantastik, internet, priza dhe kuzhinë. Faturino arrijnë shpejtësisht dhe kalon nga kupeja në kupe për të verifikuar biletat. Shumica në Ballkan, pas idesë së digjitalizimit, nuk përdorin më para të gatshme dhe as dokumente fizike, por përmes aparaturave të vockla faturinoja skanon “RQ” kodet e pasagjerëve.

    Në kupenë e restorantit punojnë dy kamarierë, një barmen dhe një kuzhiniere. Kamarieri nr. 1 është serbe nga jugu i Serbisë, qyteti i Nishit dhe do të shërbej deri në Durrës. Në kthim do të zbres për të mbaruar turnin në qytetin e saj. Kamerierja e dytë është nga Prizreni, shqiptare e Kosovës që flet disa gjuhë po ashtu si kolegia serbe. Një pjesë e madhe njerëzish komunikojnë në gjuhën angleze, por shumë të tillë që tashmë kanë mësuar gjuhët e njeri-tjetrit. Barmeni është nga Tirana në tren, kurse kuzhinjerja maqedonase. Menuja e restorantit është në gjuhët në të cilat kërkohet. Kamarieret shpejt intervenojnë dhe në një sistem të ecur aty krijohet një atmosferë pozitive. Njësoj janë pasagjerët e të gjitha kombeve e etnive, një pjesë e së cilës kanë gjetur punë në vendet e ndryshme pasi lehtësimi për punësime krijoj një emigracion të ri të përkohshëm dhe shkëmbim të popullsisë që mund të lëvizë tashmë pa probleme. Inatet e vjetra ndër etnike i takojnë të shkuarës.

    Në këto kupe ata mund të flasin edhe për luftën. Dy kolegë në një cepë shijojnë verën teksa sodisin bukuritë natyrore të Shumadisë prej xhamave të mëdhenj në lëvizje. “Nuk e di përse nuk më ke folur kur për luftën”, i thotë Millani, një mjek nga Zrenjanini, Blerimit që vjenë nga Klina, por specializant në Beograd. “Më kanë zhdukur babën kur kam qenë tre muajsh. Nuk e mbajë mend”, thotë shqiptari. “Më vjen keq…”, i thotë me gjysmë zëri serbi kolegut mjek dukshëm i shqetësuar për rrëfimin që po e dëgjon në rrugëtimin për një simpozium që do të mbahet në Prishtinë. Rrëfimet e tilla nuk janë të pakta dhe ata më nuk i fshehin krimet e bëra. “Je nga Ferizaj dhe nuk ke qenë kurrë atje…”, pyet një tjetër shqiptarë një serb që kishte ikur fëmijë nga Kosova pas përfundimit të bombardimeve. “Po, por së fundmi kam bërë një internship dhe stazhi im në një organizatë në Ferizaj ka qenë i jashtëzakonshëm”, përgjigjet ai.

    Treni quhet “Ballkan Schengen Express” dhe në këtë kohë në tabelat brenda kabinave tregon se ka arritur shpejtësinë prej 184km/h. Ai ndalon në qendrat më të rëndësishme dhe me efikasitet prej disa minutash: Beograd-Kragujevc-Nish-Prishtinë-Prizren-Tiranë-Durrës. Rreth shtatëdhjetë për qind të biletave shiten dhe qarkullimi është i madh. Disa zbresin në Nish ku është qendra për tu lidhur edhe me Sofjen dhe Shkupin. Të tjerë vazhdojnë në Kosovë e gjysma deri në Tiranë e Durrës. Mallrat po ashtu. Por, shumica e tyre shkojnë për në portin e Durrësit, i cili është zhvilluar si një ndër portet më të mëdha në Ballkan. Prej këtu, përmes detit, mallrat arrijnë në tërë botën. Investitorët e huaj kanë vërshuar Ballkanin dhe në fund të vitit disa prej shteteve në Vitin e Ri do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Por, të zotuara që do ta vazhdojnë bashkëpunimin derisa fqinji i tyre i fundit të mos jetë në Ballkan. Tani ka edhe martesa të përziera dhe pakicat kombëtare shihen si asete pasi ato gjithnjë e më shumë si shumë shpesh bilingual ndihmojnë në komunikimin më të shpejtë mes kombeve dhe nuk shihen më si kërcënim. Martesat në mes të partnerëve të gjinisë së njëjtë janë lejuar dhe mbi të gjitha ky më nuk është aq problem.

    Një gjendje e mirë paraqitet në respektimin e të drejtave të njeriut, administrata është thjeshtuar dhe problemet e dikurshme të zvarritjeve deri në vetëshkatërrim i takojnë së shkuarës së vitit 2020, që prej kësaj pike progresi duket si e largët dhe arkaike. Shtetasit e gjashtë vendeve të ngelura jashtë BE-së kanë arritur një nivel shumë të mirë andaj qytetarët mund të udhëtojnë edhe në SHBA e Kanada pa viza, mund të studiojnë, të lëvizin të lirë dhe mund të krijojnë pa menduar për ekzistencën. Këtu është krijuar edhe klasi i parë në tren dhe në këto kupe janë rreth 200 pasagjerë. Por, një standard të lartë e kanë edhe klasat e dyta të trenave. Që kur rroga minimale arriti ne 850 euro gjërat kanë ndryshuar dhe tani mundësitë janë më të mëdha. Papunësia ka rënë në vetëm 6 për qind duke krijuar një stabilitet shoqërorë dhe ekonomik. Migracioni ka rënë dukshëm. Treni arrin Beograd-Prishtinë për më pak se tre orë. Dhe, për rreth dy orë e 15 minuta në Tiranë e Durrës ku vagonët e vjetër e të ndryshkur qëndrojnë në muzeun e hekurudhës komuniste të Enver Hoxhës. Ka kaluar ora 11 dhe gati është kohë drake. Treni duket në horizontin bregorë dhe drita e diellit dhe kaltërsia e detit Adriatik shndërritin xhamat dhe buzëqeshjet e pasagjerëve të “Schengen Ballkan Expressit”, që lehtësisht ngadalëson për në stacionin e fundit.

    P.S. Ideja e zgjidhjes së konflikteve është ide e koekzistencës së njerëzve mbi të gjitha, pastaj shkëmbimit të ideve, empatisë, ndjenjës, kuptimit, infrastrukturës, politikës kreative dhe mbi të gjithash përballjes me realitetin. Jo në formë të konfirmuar disa vendeve u ishte përmendur viti 2025 si mundësi e integrimit në Bashkimin Evropian. Ballkanasit kanë punë të brendshme dhe të jashtme për të bërë. Ripajtimi nuk është luftë mes negociatorësh, por krijimi i një hapësirë për ta kuptuar të vërtetën. Bota Perëndimore i ka lënë mbrapa historitë e inateve për të bërë progres. Kosova dhe Serbia firmosën një marrëveshje. Por, si do të duhet të duket dhe çfarë duhet bërë që Ballkani të ketë një rrëfim tjetër nga ai që ka tani? A mund ta bëjnë politikanët me formën e tanishme këtë? Ky është vetëm një rrëfim imagjinarë për zhvillimin!

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark