Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe, në Qeverinë Hoti mbajti dy poste. Atë të zëvendëskryeministrit e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal. Si ministër ka shpenzuar gjithsej 3 mijë e 295 euro nga buxheti i shtetit të Kosovës, vetëm për dreka, telefoni mobile e karburant.
Gazeta Insajderi ka bërë kërkesë në Ministrisë e Administrimit të Pushtetit Lokal për të mësuar shpenzimet e ministrit nga radhët e Listës Serbe e kabinetit të tij.
Rakiç vetëm për dreka, për shtatë muaj ka shpenzuar 2 mijë e 336 euro. Për telefoni mobile 359 euro. Shpenzimet më të larta krahasuar me telefoni mobile i pati për karburant. Ministri, sipas dokumentacionit të siguruar nga Insajderi, figuron se ka shpenzuar 598 euro e 51 cent.
Kjo ministri ka pasur edhe dy zëvendësministre. Magbule Shkodra e Fatbardha Emini.
Zëvendësministrja e MAPL-së, Magbule Shkodra ka shpenzuar 38 euro e 29 cent derisa Fatbardha Emini 465 euro e 90 cent.
Emini harxhoi edhe 290 euro për telefoni mobile teksa tek Shkodra nuk figuron ndonjë shumë.
Dy zëvendësministret shpenzimet më të larta po del se i kanë pasur për karburantin e veturave. Njëra ka shpenzuar 824 euro tjetra 564 euro.
Derisa nuk janë bërë të ditura shumat se sa ka shpenzuar ministri dhe kabineti i tij për mëditje e reprezentacion.
Më poshtë gjeni dokumentet e plota të shpenzimeve në Ministrinë Administrimit të Pushtetit Lokal, gjatë qeverisjes Hoti.