
Partia Demokratike e Kosovës, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili u shpreh se po të pyetej ai zgjedhjet lokale do të shtyheshin për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve nga Covid-19.
Faton Abdullahu, zëdhënësi i PDK-së i tha Gazetës Insajderi, se si parti nuk janë që zgjedhjet lokale të shtyhen por të mbahen sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.
“Ne, si Parti Demokratike e Kosovës, nuk jemi që zgjedhjet lokale të shtyhen. Ato duhet të mbahen në kohën kur janë planifikuar. Mirëpo, zgjedhjet e tetorit, nuk duhet të mbahen në mënyrë konvencionale, me tubime e grupime të njerëzve, por duhet që në mënyrë strikte të respektohen masat dhe rekomandimet e IKShPK”, ka thënë Adbullahu për Insajderin.
“Nëse duhet, në përputhje me gjendjen në terren dhe rekomandimet e institucioneve përgjegjëse, ato masa duhet të ndryshohen e plotësohen”, u shpreh ai.
Sipas tij është vështirë t’i besohet mendësisë së pushtetit aktual, që kinse po interesohet për shëndetin e qytetarëve.
“Në anën tjetër, nëse arsyetimi për shtyrjen e zgjedhjeve është se me këtë mbrohet shëndeti i qytetarëve, gjë që është, atëherë është e vështirë, në të vërtetë krejt e pamundur, për t’i besuar kësaj mendësie, tashmë institucionale politike”, tha Abdullahu.
Zëdhënësi i PDK-së ka thënë se Qeveria Kurti e ka krijuar situatën e rrezikshme në të cilën ndodhet sot Kosova.
“Me veprime, përkatësisht me mosveprime, tash e një kohë, kjo qeverisje ka krijuar gjendjen në terren e cila thjeshtë është bërë alarmante dhe e rrezikshme për jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për fat të keq edhe për shumë procese e zhvillime, sidomos në fushën e arsimit” ka thënë ai.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se, bazuar në gjendjen pandemike që po mbizotëron në Kosovë, do duhej të shtyheshin zgjedhjet lokale, të përcaktuara të mbahen më 17 tetor.
Konjufca ka thënë se ndonëse presidentja Vjosa Osmani vendimin për zgjedhjet e merr në përputhshmëri me vendimet e IKSHPK’së, opinion i tij personal është që të shtyhen zgjedhjet.
“Kjo nuk varet prej meje [shtyrja e zgjedhjeve] por nëse do të thoja mendimin tim personal unë mendoj që zgjedhjet do të duhej të shtyheshin”, ka deklaruar ai .
“Sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve mendoj që është kompetencë e presidencës. Por me sa di unë presidentja vendimin e saj e merr pas rekomandimit të IKSHPK’së”, ka shtuar tutje kryekuvendari.
Kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale është shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se askush nuk mund t’i shtyjë zgjedhjet, dhe ta prekë demokracinë. /Insajderi.org