AAK: VV i ka të humbura zgjedhjet lokale andaj Konjufca po kërkon shtyrjen e tyre - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    AAK: VV i ka të humbura zgjedhjet lokale andaj Konjufca po kërkon shtyrjen e tyre

    Insajderi
    07 September 2021 - 14:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca i cili të hënën u shpreh se po të pyetej ai do të shtyheshin zgjedhjet lokale për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

    Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj i tha Insajderit se Vetëvendosje e ka kuptuar që i ka të humbura zgjedhjet lokale, teksa deputetja e kësaj partie, Time Kadrijaj thotë se sondazhet po tregojnë se VV ka rënë dukshëm.

    Krejt kjo sipas tyre për shkak të sërë skandaleve që po ndodhin në Qeverinë Kurti, e sidomos me pandeminë Covid-19.

    “Vetëvendosje e ka kuptuar që i ka të humbura zgjedhjet lokale . Glauku, nuk mund ti mashtroni qytetarët me rrena për ta zhvendosur vëmendjen nga keqmenaxhimi i Qeverisë Kurti, nga vjedhjet, emërimet e familjareve, nipave e tezeve dhe fatkeqësisht vdekjen e më të dashurve tanë nga Covid 19 nga keqmenaxhimi e injoranca e juaj”, ka thënë Lekaj për Insajderin

    “Sondazhet po tregojnë se VV me gjitha këto skandale në qeverisje, mos menaxhim i pandemisë, pagesat e rrymës në veri, skandalet me tender, skandalet me 133.000 mijë vaksina qe si kanë menaxhu e ju ka skadu afati, dështimi në politikën e jashtme etj kanë ra dukshëm dhe tash dëshirojnë me shkel ligjshmërinë e me i shty zgjedhjet”, është shprehur Kadrijaj.

    Deputetja e AAK-së ka përmendur edhe deklaratat e liderëve opozitarë të cilët kanë kërkuar ndryshim të fushatës elektorale për shkak të pandemisë.

    Sipas saj për shtyrjen e zgjedhjeve nuk mund të vendos as Albin Kurti e as Glauk Konjufca.

    “Para këtij prononcimi kanë qenë liderët opozitar që kanë kërku zvogëlimin e fushatës aktive për shkak të pandemisë. E për shtyrjen e zgjedhjeve duhet konsensus në mes të partive politike. E për këtë çështje nuk vendos as Albini e as Glauku”, tha ajo.

    Një ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se, bazuar në gjendjen pandemike që po mbizotëron në Kosovë, do duhej të shtyheshin zgjedhjet lokale, të përcaktuara të mbahen më 17 tetor.

    Konjufca ka thënë se ndonëse presidentja Vjosa Osmani vendimin për zgjedhjet e merr në përputhshmëri me vendimet e IKSHPK’së, opinion i tij personal është që të shtyhen zgjedhjet.

    Kundër shtyrjes së zgjedhjeve janë deklaruar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Faton Abdullahu, zëdhënësi i PDK-së i tha Gazetës Insajderi, se si parti nuk janë që zgjedhjet lokale të shtyhen por të mbahen sipas rekomandimeve të IKSHPK-së.

    Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se askush nuk mund t’i shtyjë zgjedhjet, dhe ta prekë demokracinë. /Insajderi.org

    Lexo edhe:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark