Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherit opinionisti, Dardan Sejdiu, e ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për mos ekzekutimin e pagave për grevistët.
Sejdiu krahasoi çmimin e peletit me pagën e edukatores. Ai tha se sot 710 euro kushton një ton i peletit, ndërsa motra edukatore paguhet 330 euro.
“Paramendojeni, sot një motër medicinale dhe një mjek në QKUK nuk paguhet asnjë ton pelet, ndërsa kjo qeveri i ka 650 milionë euro ‘nej’. Unë jam emocional në këtë temë sepse e kuptoj betejën për pushtet absolut dhe jo për njëfarë orvatje për dialog social”- tha Sejdiu në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Sejdiu tutje shtoi se kryeministri Kurti i ktheu mësimdhënësit në shkolla, dhe tani i dha edhe një goditje në fund, duke mos ua ekzekutuar pagat.
“Nëse ka qenë bojkot dhe shantazh i mësimdhënësve, po aq është bojkot dhe shantazh i qeverisë. Por ka një dallim esencial. Dallimi është që ai është në pushtet për të zhbërë bojkote e shantazhe”, deklaroi Sejdiu.