
Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka pritur në takim Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, për të diskutuar mbi zhvillimet në veri të vendit. Por një ngatërrese e vogël është shkaktuar nga zyrtarët për informim të Qeverisë së Kosovës.
Nga zyra e kryeministrit janë lëshuar dy komunikata, për shkak se emri i komandantit të KFOR-it në herën e parë ishte shkruar gabimisht.
Ishte përmendur emri i ish-komandantit të KFOR-it, Gjeneral Major Kajári, të cilët në muajin tetor të këtij viti veç iu dha lamtumira.
Pas 15 minutave nga qeveria janë kujdesur që ta përcjellin komunikatën, pa gabime gjegjësisht me emrin e komandantit aktual të KFOR-it. Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia.
Ndërkohë, sipas qeverisë konstatim i përbashkët nga ky takim ishte se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.
“Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it”, thuhet në njoftim përcjell Insajderi.
Me 3 tetori, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajari me të cilin diskutoi për aspekte të sigurisë dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon dhe më tej.
Osmani vlerësoi kontributin e NATO-s përmes KFOR-it si qenësor për paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon. Ajo gjithashtu shprehu vlerësimin për angazhimin e Hungarisë në kuadër të KFOR-it.
Komandanti Kajari falënderoi presidenten Osmani për bashkëpunimin dhe uroi që Kosova edhe më tej, nën komandën pasuese të KFOR-it, të vazhdojë të mbetet vatër e stabilitetit dhe e paqes.
Ndërkohë me 10 tetor, Komandanti Kajari ia ka dorëzuar komandën e KFOR-it gjeneralmajorit Angelo Michele Ristuccia.
/GazetaInsajderi