Pas disa ditësh trajtim në QKUK, mëngjesin e sotëm vdiq punëtori i moshës 30-vjecare, Rifat Rrustemi i cili ra nga kati i 10-të ku punonte në Fushë Kosovë.
Për vdekjen e Rifatit ka njoftuar edhe familja e tij.
“Njoftim! Sot me daten 11.02.2023 ndrroj jete vellai im Rifat Rrustemi. Rreth ceremonis se varrimit ju informojm neser”, shkruan familja në njoftim.
Ndryshe, pronari i kompanisë “Qlirimi”, Nazir Xhema kanë rënë në prangat e Policisë, si i dyshuar për këtë rast si dhe Rasim Voca pronari i kompanisë “Voca Dekor” përgjegjëse për skelet e vendosura në objektin ku u lëndua viktima, raporton Sinjali.
Xhema dhe Voca të hetohen për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
30-vjeçari ka rënë nga kati i dhjetë i objektit banesor ‘Model Slovenia’ që është në ndërtim e sipër dhe për pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore bashkë me Inspektoratin e Punës, ku kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Kujtojmë se muajve të fundit ka pasur disa raste tragjike të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e lëndimeve në vendet e punës. Ndonëse këto raste janë në rritje, kompanitë vendore bëjnë shumë pak për përmirësimin e kushteve të punës.