“Ka edhe një anë tjetër të medaljes”, Deklarohet Abazoviq për rastin e dhunës ndaj profesorit shqiptar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Shqipëri/Rajon

    “Ka edhe një anë tjetër të medaljes”, Deklarohet Abazoviq për rastin e dhunës ndaj profesorit shqiptar

    Insajderi
    22 February 2023 - 14:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se videot, në të cilat shihen disa policë të Malit të Zi duke keqtrajtuar një shtetas të huaj në kufi me Shqipërinë, i ka parë që nga data 15 janar, prej kur edhe “janë ndërmarrë masa”.

    Ai tha se ata që i tejkalojnë kompetencat e tyre, duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate.

    Por, shtoi se “ka edhe një anë tjetër të medaljes”, pasi, siç tha, në video nuk shihet se veprimeve të policisë u ka paraprirë një kundërvajtje në komunikacion.

    “Nuk është se dikush e ka vënë në shënjestër dikë dhe e ka nxjerrë thjesht nga makina. Dikush duhet të ketë bërë shkelje. Nuk janë respektuar rregullat e komunikacionit dhe radhët”, tha Abazoviq.

    Në videot që janë shpërndarë në platforma të ndryshme sociale më 21 shkurt, duket se ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare Sukobinë, që lidh Malin e Zi dhe Shqipërinë.

    Sipas pamjeve, një polic e nxjerr me forcë nga makina shtetasin e huaj, i cili nuk bën rezistencë dhe keqtrajtohet.

    Policia malazeze tha se pamjet e “keqtrajtimit të një shtetasi shqiptar”, të publikuara më 21 shkurt, i referohen një ngjarjeje të 15 janarit në pikën kufitare të Sukobinës.

    Policia tha se po heton punonjësit e saj në lidhje me incidentin.

    Partia shqiptare në Mal të Zi, Alternativa Shqiptare, tha se bëhet fjalë për shtetasin shqiptar, Petraq Milo, profesor universitar dhe ish-këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për financat publike dhe politikën monetare.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark