Gazetari Valon Syla ka thënë se ‘Marshi për Drejtësi’ i 2 prillit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK’së që po mbahen në Hagë duhet të jetë civil dhe masiv.
Syla tha se në këtë marsh duhet të dalin sa më shumë gra e fëmijë dhe të dërgohet qartë mesazhi në Hagë se i ish-krerët i duamë në Kosovë.
“Civil në kuptimin të dalim me gra e fëmijë dhe me familje, që nuk i ngjason atyre protestave që duken si llogore të burrave. Masiv në kuptimin që të jepet mesazhi për miqt dhe çlirimtarët tonë që po gjykohen në Hagë, sepse i dojmë bashkë me ne, gratë, fëmijët dhe familjet e tyre në Kosovë“, ka shkruar Syla.
Tutje, Syla ka kërkuar që qytetarët të bashkohen në këtë marsh, duke bërë të ditur se ai do të marshoj për ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Veseli.
Më 3 prill nis gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.