Komuna e Suharekës i ka ndarë subvencione vajzës së drejtorit të Shërbimeve Publike, Enver Shabanit i cili u arrestua një muaj më parë dhe po mbahet në paraburgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në gusht të 2023’ës, Drejtoria për Buxhet, Ekonomik dhe Financa në komunën e Suharekës bëri thirrje për aplikim për subvencione në kuadër të programit “Mbështetje për gratë në biznes“.
Pas publikimit të listës, në mesin e 14 aplikantëve që përfituan nga këto subvencione ishte Gresa Shabani, vajza e drejtorit Enver Shabani.
Drejtoria për Buxhet, Ekonomik dhe Financa në thirrjen për aplikim kishte njoftuar se shuma e fondit që do të jetë në dispozicion është 50 mijë euro, ndërsa vlera maksimale e financimit të një subvencioni është 2 mijë e 500 euro.
Por, që në listën e përfitueseve nuk tregohen shumat që ka përfituar secili.
Ndryshe, pas raportimit të Gazetës Insajderi Enver Shabani drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashi zyrtar në drejtorinë e njëjtë ranë në pranga. Të dy dyshohet se e keqpërdorën detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit personal.
Shabani dhe Kabashi dyshohet se kanë përfituar nga detyra e tyre duke shkelur ligjin e Prokurimit Publik.
“Të pandehurit: Berat Kabashi dhe Enver Shabani prej datës 18.05.2022 deri ma datë 12.12.2022 në Suharekë duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë duke shfrytëzuar detyrën nuk i përmbushin detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfardo dobie për vete dhe personat e tjerë“, thuhet në dokumentin të cilin e ka parë Insajderi.
Sipas Prokurorisë ata dyshohet se me këto veprime i kanë mundësuar dobi pasurore personit tjetër dhe i shkaktuan dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.
Gazeta Insajderi në prill kishte raportuar se në mars të 2023 ishte hapur tenderi për ndërtimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht, ani pse për të njëjtat rrugë ishte lidhur kontrata në vlerë prej 72 mijë eurove vitin e kaluar.
Bëhet fjalë për ndërtimin e rrugëve: Rexhep Velia, Molika , Shaljanët, Tafa, Ilaz Shala, Gentiana, Haxhi Shania, Avdyl Aga, Jetush Shala dhe Kovaqi.
Po ashtu, Insajderi kishte raportuar se një javë para arrestimit komuna e Suharekës e kishte shpërblyer me tender Organizatën Joqeveritare të themeluar nga Enver Shabani. Vlera e kontratës kap shifrën mbi 100 mijë euro. Por, një ditë pas tekstit të publikuar nga Insjaderi, ky tender u anulua.
Pas raportimit të Insajderit, Komuna e Suharekës ia anulon tenderin të arrestuarit për korrupsion