Ish-prokurori me aktakuzë për marrjen e 20 mijë eurove ryshfet nga narkodilerët, ftohet në ceremoninë e 25-vjetorit të Komunës së Prizrenit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-prokurori me aktakuzë për marrjen e 20 mijë eurove ryshfet nga narkodilerët, ftohet në ceremoninë e 25-vjetorit të Komunës së Prizrenit

    Insajderi
    19 September 2024 - 11:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish- prokurori i akuzuar për korrupsion të nivelit të lartë, Metush Biraj po respektohet fortë nga Komuna e Prizrenit. Ndonëse, ndaj tij është ngritur aktakuzë për marrjen e 20 mijë eurove si ryshfet për lirimin nga fajësia të dy narkodillerëve, atij i rezervohet një ulëse në ballë të Kuvendit Komunal të Prizrenit, shkruan Insajderi.

    Metush Biraj i cili është edhe familjar i kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj është ulur në ulëset kryesore të sallës së Kuvendit komunal me rastin e mbajtjes së ceremonisë solemne për të shënuar  25 vjetorin e rifunksionimit të Komunës së Prizrenit, të parit institucion që nisi punën në Kosovën e çliruar nga pushtimi serb.

    Në ceremoninë e mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal, ishin udhëheqësit më të lartë të asaj kohe, ish-drejtorë komunal e shumë veprimtarë të respektuar, të cilët kishin dhënë kontribut para dhe gjatë luftës.

    Pjesë e saj shihet në fotografi edhe Ish-prokurori Biraj, pjesë dikurshme e stafit ekzekutiv, por që tash ka aktakuzë të ngritur për korrupsion të nivelit të lartë.

    Ndryshe në mars të këtij viti u njoftua për ngritjen e aktakuzës ndaj Birajt, për marrje ryshfeti nga Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani. Sipas raportimi të Gazetës Insajderi, ata i ofruan ryshfet për të cilën, sipas aktakuzës, Biraj e pranoi. Vlera e ryshfetit ishte 20 mijë euro, në mënyrë që ai të tërhiqej nga hetimet ndaj Naim Osmanit, Ukë Sadrijajt dhe Arbër Salihut “në mungesë provash”. Biraj në fjalën e tij e ndjekte “zërin e ndërgjegjes” tërhiqej nga aktakuza në rastin e Osmanit.

    Po ashtu sipas raportimit të Gazetës Insajderi, Biraj është në marrëdhënie familjare me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj ( përkatësisht nipi apo djali i motrës së babës ). Në prag të pensionimit, Biraj kishte trajtuar edhe lëndë ndaj sektoreve komunale, që janë në vartësi të Totajt, duke hedhur poshtë Kallëzimet Penale.

    Në qershor, u njoftu se Gjykata e Apelit ka marrë aktvendim që aktakuza e ngritur ndaj Metush Birajt, për marrje ryshfeti, të kalojë në kompetencë lëndore të Prokurorisë Speciale.

    Si rrjedhojë, aktvendimi për fillimin e hetimeve dhe aktakuza ndaj tij, do duhej të merreshin nga Prokuroria Speciale, duke qenë se pozita e tij është pozitë e lartë publike, dhe jo nga Prokuroria Themelore në Gjilan.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark