×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    U punësua në bankë pas pensionimit- Insajderi sjell pasurinë e ish-prokurorit Biraj që u “ble” për 20 mijë euro nga narkodilerët

    Insajderi
    06 March 2024 - 15:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Tri livadhe, pesë pyje, tri ara dhe tri kullosa i ka të deklaruara si pasuri të paluajtshme në emrin e tij ish-prokurori Metush Biraj. Vlera e tyre arrin shifrën e 108 mijë eurove. Përveç tyre, ish-prokurori Biraj ka edhe një banesë që e ka blerë në shumën prej 30 mijë eurove më 2005-ën prej 73 metra katrorë. Krejt këto ish-prokurori i kishte deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) më 2023-ën, para se të dilte në pension. Pasi doli në pension, ai filloi të merrte rrogë si punëtor i një banke nga muaji i pestë i 2023-ës dhe vazhdoi edhe më 2024-ën.

    Gazeta Insajderi

    Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Metush Birajt, për veprën penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Dhënia e Ryshfetit” ndaj të pandehurve Shkodran Pulaj dhe Naim Osmanit.

    Sipas aktakuzës, kishte pranuar 20 mijë euro të heq dorë nga ndjekja penale ndaj narokdilerit Osmani, Ukë Sadrijajt dhe Arbër Salihut në mungesë provash. Që të tre dyshoheshin për shitje të substancave narkotike, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri M.B., në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20.000 €, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

    Në anën tjetër, ish-prokurori Biraj po ashtu akuzohet për pazarllëqe edhe me narkodilerin tjetër nga Prizreni, Shkodran Pulajn.

    “Ndërsa, të pandehurit Sh.P. dhe N.O., me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin M.B., me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve N.O., U.S. dhe A.S., për shkak të veprës të sipërshënuar penale”.

    Biraj në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit ka deklaruar për herë të fundit pasurinë e tij si zyrtar publik, gjegjësisht prokuror. Sipas të dhënave, ai ka dhjetëra toka si prona të paluajtshme që mbërrijnë vlerën e 108 mijë eurove.

    Pos kësaj, si patundshmëri ish-prokurori e ka të deklaruar edhe një banesë prej 73 metrash katrorë, të cilën e ka blerë më 2005-ën, në vlerë prej 30 mijë eurosh.

    Ndërkaq, si pasuri të luajtshme e ka deklaruar një veturë të markës Audi, të blerë më 2021-ën në vlerë prej 11 mijë eurosh.

    85 mijë euro i ka të kursyera nga paga e Prokurorit të Shtetit. 2,155 euro në vit si Prokuror i Shtetit.

    Në faturat e tatimit në pronë, të cilat i ka parë Insajderi, ai ka paguar tatim vetëm për banesën e deklaruar në Prizren prej 73 metrash katrorë, duke lënë hapësirë të kuptohet se pronat e tjera të paluajtshme s’janë në emër të tij.

    Pas pensionimit si prokuror, Biraj ka filluar të punojë në një bankë, duke e deklaruar si aktivitet primar. Nga aty figuron të ketë marrë pagë që prej majit të 2023-ës dhe duke vazhduar edhe më 2024-ën.

    Çka deklaronte para gjykatës Prokurori Biraj për rastin e Osmanit?

    Narkodileri Osmani dhe të tjerët synonin të transportonin 130 kilogramë të llojit marihuanë për në Zvicër. Kështu, të paktën thuhej në aktakuzën e përpiluar nga Prokuroria, që përfaqësohej nga prokurori Biraj.

    Përbrenda 22 dyerve të drurit, policia para një viti gjeti mbi 130 kilogramë drogë. Prapa kësaj vepre panel qëndronte Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu.

    Në mungesë të provave prokurori Biraj vendosi që të tërhiqet nga ndjekja penale e të treve.

    “Si shumë kontestuese është paraqitur fakti se kjo sasi e madhe e narkotikut të llojit ‘marihuanë’ e destinuar jashtë Kosovës, a ka lidhshmëri kauzale me veprimet e dyshuara inkriminuese penale të të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu”, thuhej në fjalën përfundimtare të prokurorisë.

    Madje, Prokurori Biraj duke u thirrur në “zërin e ndërgjegjës” dhe “etikën profesionale” i thoshte trupit gjykues se s’mund të qëndrojë prapa kësaj aktakuze.

    “Duke e ndjekur zërin e ndërgjegjes sime e mbi të gjitha etikën profesionale, i nderuar trup gjykues unë nuk mund të qëndrojë pranë kësaj aktakuze, përkatësisht heqi dorë nga aktakuza në mungesë të provave sepse në gjykim nuk u arrit që të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar se të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale për çka janë akuzuar”, deklaronte ai.

    Naim Osmani, Ukë Sadriaj dhe Arbër Salihu akuzoheshin se kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me ligj si narkotikë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje.

    Kush është Shkodran Pulaj, ish-zyrtari i AAK’së që bëri pazare me prokurorin Biraj?

    Shkodran Pulaj në shtator të vitit që shkoi u kap me drogë. Përgjatë një aksioni të Antidrogës në Prizren, u arrestuan katër persona të dyshuar të dyshuar për shitblerje të substancave narkotike. Në mesin e tyre ishte edhe Shkodran Pulaj, ish-funksionar i AAK-së në këtë komunë.

    Për Pulajn, mediat raportuan se ishte person i paprekur nga organet e rendit.

    Nga ajo çfarë thoshte gjykata për Pulajn, “nga koha e pavërtetuar e deri me datë 05.09.2023, ka poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, në atë mënyrë që me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur një pushkë gjuetie, dy tytëshe, horizontale me numër serik …….- 64, nëntë fishek të kalibrit të pa njohur të pistoletës, një kafk e pistoletës me numër serik ….., një kuti municioni brenda saj me dhjetë fishekë të pistoletës të kalibrit të pa njohur, njëmbëdhjetë fishekë të kalibrit të pa njohur, për të cilat nuk ka pasur leje nga organi kompetent i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës., si dhe janë gjetur pjesët përcjellëse si: një sprej për pastrim të armëve, një kuti plastike me brusha për pastrim të armëve të zjarrit dhe një rripë fotrollë për vendosjen e karikatorëve ngjyrë e zezë”.

    Prokuroria Themelore në Prizren, pas interesimit të Gazetës Insajderi për të kaluarën kriminale të Pulajt, kishte njoftuar se janë ngritur dy aktakuza më 2005-ën dhe 2007-ën.

    “Referuar kërkesës tuaj për informacione, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se pas shikimit në regjistrat dhe data bazën e kësaj prokurorie, është gjetur se personi me inicialet Sh.P., ka pasur dy raste të kryerjes së veprave penale, të cilat prokuroria i ka trajtuar dhe ka ngritur aktakuzë”, kishin bërë të ditur për Insajderin nga Prokuroria në Prizren.

    Sipas Prokurorisë, rasti i parë ka ndodhur në vitin 2005, ku Pulajt i është ngritur aktakuzë për “rrezikim të trafikut publik”.

    Ndërkaq, në rastin e dytë ish-funksionarit të AAK-së iu është ngritur një aktakuzë më 2007-ën për “Pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

    Për Pulajn u raportua edhe për afërsi me zyrtarë të lartë në Policinë e Kosovës. Një nga ta ishte edhe ish-shefi i anti-drogës në Prizren, Enver Bujarit. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark