Biznesmenja mbështetëse e Përparim Ramës fiton sërish tender për digjitalizim nga Komuna e Prishtinës- tenderi i kaluar ishte denoncuar si skandal - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Biznesmenja mbështetëse e Përparim Ramës fiton sërish tender për digjitalizim nga Komuna e Prishtinës- tenderi i kaluar ishte denoncuar si skandal

    Insajderi
    24 September 2025 - 14:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Prishtinës ka shpallur për herë të dytë fitues të një tenderi për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore kompaninë “Schoolme Implementation & Consulting SH.P.K.”, të drejtuar nga Iris Gjinovci, e cila është e njohur për lidhje të ngushta me kryetarin Përparim Rama.

    Sipas dokumenteve të tenderit, kompania e Gjinovcit ka qenë më e shtrenjta ndër ofertuesit e paraqitur. Tenderi është dhënë në vlerë prej afro 256 mijë euro.

    Gjinovci është parë në takime strategjike të komunës dhe ka shprehur mbështetje të hapur për iniciativat e kryetarit Rama në rrjetet sociale. Ajo po ashtu ka marrë pjesë në ngjarje publike të Komunës.

    Ish-nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu kishte alarmuar në publik për tenderin për digjitalizim të shkollave në Prishtinë. “…me specifika e planifikim buxheti skandaloz”.

    Ish-nënkryetarja e kishte përmendur që ishte ajo që nuk e kishte nënshkruar dokumentin që ky tender të shkonte përpara, por këtë e kishte bërë kryetari Përparim Rama.

    “Përparim Rama në dhjetor dha urdhër për fillimin e procedurave të prokurimit për digjitalizim në arsim pa njohurinë time pasi unë, në cilësinë e U.D. Drejtore e Arsimit, nuk pata pranuar të nënshkruaj deklaratë disponueshmërie për një proces të dëmshëm, pa leje nga ASHI, kundër rekomandimeve të auditorit”, kishte shkruar, ajo duke komentuar që sipas saj ky tender u bë me specifika e planifikim buxheti skandaloz.

    Ky tender ishte pezulluar pas ankesave në OSHP. Në ankesën tashmë të deponuar në OShP, një biznes tjetër konkurrues që ishte në garë është ankuar vetëm që Komuna e Prishtinës padrejtësisht e shpalli të papërgjegjshme, me çka iu kishte hapur rruga që këtë punë ta merrte biznesmenja Iris Gjinovci.

    ZKA në raportin për vitin 2022 kishte bërë vërejtje sa i përket projektit për digjitalizimin e mësimit në shkollat në Kryeqytet, duke dhënë edhe një historik më shpenzim të parasë publike në këtë projekt e me dështime.

    “Komuna kishte lidhur kontratë të negociuar për “Implementimin e platformës online për digjitalizim të shkollave”, në shumën totale për vit 174,000€, përkatësisht 14,500€ për muaj, platformë e cila është krijuar paraprakisht nga i njëjti operator ekonomik. Për këtë shërbim, Komuna ka pasur edhe dy kontrata paraprake gjatë vitit 2020 dhe 2021, ku kontrata e parë është lidhur në kohëzgjatjen prej pesë muajsh në shumën 41,500€, ndërkaq kontrata e dytë është lidhur për tetë muaj në vlerë prej 87,760€”, thuhet në raportin e auditorit.

    ZKA konstatoi se edhe pse u shpenzuan këto para publike, platforma dështoi.

    “Për veç kësaj, platforma nuk ishte funksionale që nga dhjetori 2022, për shkak të skadimit të kontratës me Operatorin Ekonomik (OE). Për më tepër kodi burimor i platformës është në pronësi të OE.

    Sipas zyrtarëve të Komunës, kjo kishte ndodhur si pasojë e mungesës së njohurisë për kërkesat të tilla. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark