Insajderi
Analiza

Mbi 350 mijë euro pasuri – zyrtarja e IML-së që e deklaron tek burri në Agjenci, ri-emërohet jashtëligjshëm disa herë si U.D

Insajderi
27 October 2025 - 15:20
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Mbi 350 mijë euro pasuri – zyrtarja e IML-së që e deklaron tek burri në Agjenci, ri-emërohet jashtëligjshëm disa herë si U.D
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Që tri herë radhazi është emëruar ushtruese e detyrës (U.d.) drejtoreshe e Departamentit për Mbështetje Mjeko-Ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në kundërshtim me nenin 35 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, i cili e kufizon ushtrimin e detyrës në afat prej 6 muajsh, me mundësi zgjatjeje vetëm edhe për 6 muaj të tjerë. Pavarësisht këtij kufizimi ligjor, Valdete Ejupi vazhdon ta ushtrojë pozitën për të tretin mandat radhazi. Ndërkohë, së fundmi ajo ka dorëzuar edhe deklarimin vjetor të pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit – institucion ku bashkëshorti i saj, Esad Ejupi, është drejtor i Departamentit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Në formularin e dorëzuar janë raportuar pronat, automjetet, kursimet bankare dhe të ardhurat familjare, duke përfshirë edhe pasuritë e bashkëshortit dhe fëmijëve, shkruan Insajderi.

Sipas deklarimit, Ejupi posedon disa prona të patundshme: dy banesa në Prishtinë me sipërfaqe 66 metra katror dhe 80 metra katror, të blera përkatësisht në vitet 2019 dhe 2004, një shtëpi prej 132 metra katror, e trashëguar në vitin 2002, dhe dy truallë, me sipërfaqe 1.70 ari dhe 1.00 ari, të trashëguara.

Vlera e përgjithshme e këtyre pasurive të paluajtshme llogaritet në mbi 380 mijë euro.

Shumica figurojnë në pronësi të përbashkët me bashkëshortin.

Pasuritë e luajtshme

Në pjesën e pasurive të luajtshme mbi 3,000 euro, janë deklaruar dy automjete:

Një veturë e blerë në vitin 2013, me vlerë 6,000 euro, në pronësi të bashkëshortit.

Një veturë tjetër (Audi) e blerë përmes kredie në vitin 2024, me vlerë 19,700 euro, po ashtu në pronësi të bashkëshortit.

Llogaritë bankare dhe kursimet

Ejupi ka raportuar disa llogari bankare në Raiffeisen Bank Kosovo, ku përfshihen: llogaria personale me 1,498.62 euro, katër llogari të tjera në emër të fëmijëve dhe bashkëshortit, me vlera nga 3,907.87 euro secila.

Burimi kryesor i fondeve është deklaruar si kursime dhe depozita familjare.

Të ardhurat vjetore personale dhe familjare

Në deklarimin e saj për të ardhurat vjetore personale dhe familjare për vitin 2024, Valdete Ejupi ka përfshirë, përveç pagesave të saj, edhe të ardhurat e bashkëshortit, Esad Ejupi, i cili është drejtor i Departamentit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Sipas deklarimit: pagë neto e Valdete Ejupit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore: 10,155.72 euro, mëditje për udhëtime zyrtare jashtë vendit: 156 euro.

Ndërkohë, pagë neto e bashkëshortit, Esad Ejupi, nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit: 14,514 euro, mëditje shtesë e bashkëshortit për udhëtime zyrtare në Mal të Zi dhe Shqipëri: 156 euro dhe 40 euro, të ardhura nga shitja e librave dhe marketingu për publikimin e librit: 15,500 euro si dhe subvencion nga Ministria e Kulturës: 1,000 euro.

Bursa studentore për fëmijën: 1,000 euro, si dhe shtesa për fëmijë nga Ministria e Financave për dy fëmijë: 110 euro dhe 270 euro.

Në deklarim nuk janë evidentuar aksione në shoqëri tregtare, letra me vlerë, kriptovaluta, detyrime financiare ndaj personave fizikë apo juridikë, si dhe donacione në parti politike apo shpenzime donacionesh.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark