Insajderi
Analiza

Eksperti i Mjekësisë Ligjore, Musa Gashi me kompani private që kryen ekspertiza ligjore – a bie kjo ndesh me ligjin?

Insajderi
23 October 2025 - 18:02
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Eksperti i Mjekësisë Ligjore, Musa Gashi me kompani private që kryen ekspertiza ligjore – a bie kjo ndesh me ligjin?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Eksperti i Mjekësisë Ligjore, Musa Gashi, ka deklaruar të ardhura të konsiderueshme dhe një portofol të gjerë pasurish në deklarimin e tij të rregullt vjetor pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Sipas dokumentit të dorëzuar më 25 mars 2025, Gashi ushtron disa funksione në institucione publike dhe ka të ardhura që tejkalojnë 40 mijë euro në vit.

Bazuar në deklarimin e bërë, eksperti i Mjekësisë Ligjore, Musa Gashi, i punësuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë që nga viti 2013, figuron njëkohësisht si pronar i një biznesi privat që ushtron veprimtari në të njëjtën fushë – ekspertiza të mjekësisë ligjore dhe këshillime profesionale.

Kjo ngre dyshime për konflikt të mundshëm interesi, pasi ligji ndalon që zyrtarët publikë të merren me veprimtari private që lidhen me detyrën e tyre zyrtare.

Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me mundësinë që zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore po ushtrojnë aktivitete që mund të përbëjnë konflikt interesi, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Dy role paralele: ekspert publik dhe ofrues privat i ekspertizave ligjore

Sipas deklarimit të pasurisë dorëzuar në APK, Gashi mban disa pozita publike: Ekspert i Mjekësisë Ligjore në IML, që nga 5 marsi 2013; zyrtar në Departamentin për Mjekësi Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë (nga shtatori 2024 deri në shtator 2025); anëtar i Këshillit Drejtues të IML-së (mandati 2024–2027); si dhe konsulent në UNFPA pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

Por krahas këtyre funksioneve shtetërore, ai ka deklaruar se zotëron 100% të aksioneve në biznesin “Zyra e Shërbimeve GASHI (BI)”, të themeluar në vitin 2010, me kapital prej 3,014.64 euro.

Aktiviteti i këtij biznesi përfshin ofrimin e ekspertizave të mjekësisë ligjore dhe konsulenca profesionale – të njëjtat shërbime që Gashi ofron edhe në kuadër të detyrës së tij në IML.

Pasuritë e paluajtshme

Gashi ka deklaruar disa prona në Prishtinë, të përfituara kryesisht nga kursimet personale dhe huatë familjare: dy banesa (80 m² dhe 145 m²) me vlerë të përgjithshme 238,000 €; tre parcela toke me sipërfaqe mbi 1,000 m², të blera në periudha të ndryshme; dy garazhe me vlerë të kombinuar 22,500 €.

Në total, pasuritë e paluajtshme arrijnë mbi 260,000 euro.

Pasuritë e luajtshme dhe llogaritë bankare

Në kategorinë e pasurive të luajtshme, Gashi ka deklaruar: një veturë Renault me vlerë 13,000 euro, të blerë në vitin 2016 nga kursimet personale;

Disa llogari bankare në Raiffeisen Bank, NLB Bank dhe Procredit Bank, me gjithsej rreth 22,700 euro në depozita dhe kursime, të ndara mes tij, bashkëshortes dhe fëmijëve.

Gashi zotëron 100% të aksioneve në biznesin “Zyra e Shërbimeve GASHI (BI)”, me kapital prej 3,014.64 euro, të regjistruar që nga viti 2010. Aktiviteti i këtij biznesi përfshin ekspertiza të mjekësisë ligjore dhe këshillime profesionale.

Të ardhurat vjetore personale dhe familjare – mbi 48 mijë euro në vit

Eksperti i Mjekësisë Ligjore, Musa Gashi, ka deklaruar të ardhura të përgjithshme vjetore prej mbi 48 mijë euro:

Nga Ministria e Drejtësisë, përmes listës zyrtare të pagave, merr pagë neto vjetore prej 21,045.07 euro;

Nga Universiteti “Hasan Prishtina”, për angazhimin si asistent, ka përfituar 996.35 euro;

Nga biznesi i tij “Zyra e Shërbimeve Gashi (BI)”, të ardhurat vjetore janë 15,890.00 euro;

Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku është i punësuar, nuk ka deklaruar pagesë shtesë për vitin raportues, pasi aktualisht mban pozitën e Drejtorit të Departamentit;

Nga kontrata si konsulent në UNFPA, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ka marrë 255.00 euro.

Të ardhurat e bashkëshortes dhe përfitimet familjare

Bashkëshortja e tij, e punësuar në MASHT, ka deklaruar pagë neto vjetore prej 7,002.33 euro.
Ajo ka marrë gjithashtu 513.00 euro nga pagesat jashtë orarit dhe 2,165.84 euro nga vendime gjyqësore.

Fëmijët e tij përfitojnë shtesa për fëmijë nga MPMS, përkatësisht 280.00 euro dhe 581.00 euro në vit, të paguara në llogaritë përkatëse në Procredit Bank.

Në total, të ardhurat e deklaruara për familjen Gashi arrijnë në 48,728.59 euro për vitin.

Ndërkohë, siç ka dekoruar aktualisht brenda IML-së ai mban pozitën e Drejtorit të Departamentit për Mjekësi Ligjore.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark