Nexhmedin Hyseni, Menaxheri i Kontratës për tenderin e klimatizimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, doli të jetë funksionari i vetëm që nuk e pranoi skemën e mashtrimit të Visar Krasniqit, duke refuzuar mallin, denoncuar operatorin dhe kërkuar shkëputjen e kontratës.
Derisa biznesmenët e lidhur me mashtrimet në prokurim publik shpesh vazhdojnë të marrin tenderë në institucione të ndryshme, një zyrtar i thjeshtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vendosi të veprojë sipas ligjit dhe etikës, duke i thënë “Stop” kompanisë “Infinit sh.p.k”.
Bëhet fjalë për Nexhmedin Hysenin, Menaxher i Kontratës, i cili udhëhoqi inspektimet në terren për furnizimin e kondicionerëve të ajrit dhe zbuloi mashtrimin e pastër nga kompania, pronar i së cilës është Visar Krasniqi, i arrestuar tashmë për mashtrim.
Puna e Hysenit ishte e thjeshtë: të siguronte që operatori të furnizonte atë që kishte kontraktuar. Por, zellit dhe përkushtimit të tij i hasi një tentativë mashtrimi.
Në vend të klimave të markave TOYOTOMI (GOSAI), të ofruara zyrtarisht në tender, Hyseni konstatoi se “Infinit sh.p.k” kishte instaluar një markë tjetër – atë CHIGO – në kundërshtim të plotë me specifikat.
Këmbëngulja e tij për zbatimin e kontratës ishte thelbësore. Në raportin e detajuar të datës 21.10.2025, ai e shpjegon qartë këtë qëndrim:
“Për shkak të mospërputhjes së ofertës me mallin e furnizuar, NUK mund t’i pranoj klimata e montuara në të gjitha lokacionet… ky Operator Ekonomik ka tentuar edhe të na mashtrojë neve si AK-KQZ.”
Veprimi i guximshëm dhe raporti faktografik i Nexhmedin Hysenit ishte themeli mbi të cilin KQZ ndërtoi reagimin e saj institucional.
Pas rekomandimit të tij, Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit, Gani Nekaj, dhe Kryeshefi i KQZ-së, Besnik Buzhala, morën vendim për ndërprerjen e menjëhershme të kontratës dhe konfiskimin e garancionit.
Për më tepër, vetëm pak ditë më vonë, KQZ i dërgoi Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kërkesë për diskualifikimin e kompanisë së Visar Krasniqit nga të gjitha tenderët publikë, duke përmendur pikërisht dëshmitë e mbledhura nga Hyseni.
Ky rast dëshmon rëndësinë kritike të zyrtarëve të dedikuar të prokurimit, të cilët, përmes integritetit dhe kontrollit, shërbejnë si gardianë efektivë kundër dëmit që i shkaktohet buxhetit të shtetit nga operatorët mashtrues.