Insajderi
Analiza

KQZ-ja, institucioni ku biznesmenit Krasniqi të arrestuar për mashtrim me tender i hasi ‘sharra në gozhdë’

Insajderi
01 December 2025 - 10:59
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
KQZ-ja, institucioni ku biznesmenit Krasniqi të arrestuar për mashtrim me tender i hasi ‘sharra në gozhdë’
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

KQZ-ja del të jetë një nga institucionet e para që kompaninë “Infinit sh.p.k” e kishte denoncuar aty ku duhet, në OSHP, për mashtrim e ia kishte shkëputur edhe kontratën e marrë sigurimin e tenderit. Krasniqi, që me firmën e tij mori mbi 140 tenderë më vonë u arrestua për mashtrim po me tenderë. Insajderi sjell detaje nga dokumentet që i posedon ‘Gjykata e tenderëve’ e deri tash nuk del të ketë marrë ndonjë masë.

Gazeta Insajderi

Derisa biznesmeni Visar Krasniqi ka përfunduar në pranga nën dyshimet për mashtrim me dokumente dhe prokurim publik, dokumentet ekskluzive tregojnë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ishte institucioni që e denoncoi atë, duke ia ndërprerë kontratën dhe duke kërkuar futjen e tij në Listën e Zezë.

Ndryshe nga komunat apo institucionet e tjera ku kompania “Infinit sh.p.k” me pronar Visar Krasniqin ka vazhduar të operojë, e del që ka marrë mbi 140 tenderë, në KQZ tentativat për të devijuar nga kontrata janë ndeshur me një reagim të ashpër institucional, shkruan Insajderi.

Gjithçka kishte nisur me kontratën për “Furnizim me Klima”. Sipas raportit të siguruar, operatori ekonomik kishte fituar tenderin duke ofertuar dhe garantuar furnizim me klima të markës “TOYOTOMI (GOSAI)”.

Por, situata në terren doli krejtësisht ndryshe.

Menaxheri i Kontratës në KQZ, Nexhmedin Hyseni, pas inspektimeve të kryera në zyrat e KKZ-ve nëpër komuna (përfshirë Kamenicën, Mitrovicën e Veriut, etj.), konstatoi se pajisjet e montuara ishin të një prodhuesi tjetër, konkretisht të markës “CHIGO”, duke shkelur rëndë specifikat teknike dhe ofertën e fituar.

Në raportin e tij drejtuar Zyrës së Prokurimit, Hyseni është i prerë në konstatimin e tij për mashtrim:

“Operatori Ekonomik ka tentuar edhe të na mashtrojë neve si AK-KQZ, sepse ka montuar klima të prodhuesve të tjerë dhe jo sipas llojit (modelit) dhe prodhuesit të specifikuar në kontratë… Operatori Ekonomik në katalog ka ofruar llojin e klimës TOYOTOMI (GOSAI), kurse të gjithë sasinë e paraparë… e ka montuar tjetër lloj të klimave”, shkruan Insajderi, bazuar në dokumentet e siguruara brenda OSHP-së

Përveç ndërrimit të markës, raporti evidenton se operatori kishte shkaktuar dëme gjatë montimit në Mitrovicë të Veriut dhe Ranillug, duke lënë pas dëme dhe instalime joprofesionale.

Duke u bazuar në këto gjetje faktike, Menaxheri i Kontratës, rekomandoi ndërprerjen e menjëhershme të kontratës. Ky rekomandim u mor parasysh plotësisht nga krerët e prokurimit dhe administratës në KQZ.

Vendimi për shkëputjen e njëanshme të kontratës u nënshkrua nga Gani Nekaj, Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit në KQZ, dhe nga Besnik Buzhala, Drejtor i Sekretariatit. Në vendimin e datës 29.10.2025, ata vulosën ndërprerjen e marrëdhënies me këtë operator, duke u bazuar në Nenin 28.1 pika a, të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës, raporton Insajderi.

Nekaj dhe Buzhala nuk u mjaftuan vetëm me ndërprerje. Ata aktivizuan edhe procedurat për konfiskimin e sigurimit të ekzekutimit të kontratës, duke i shkaktuar dëm financiar kompanisë për mospërmbushje të obligimeve.

Kërkesa në OSHP për futjen në “Listën e Zezë”

Dokumentet dëshmojnë se KQZ-ja nuk e la me kaq. Më datë 10.11.2025, Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit, Gani Nekaj, i është drejtuar zyrtarisht Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me një kërkesë për diskualifikim të operatorit “Infinit sh.p.k”.

Në shkresën drejtuar OSHP-së, që Insajderi i ka siguruar brenda këtij institucioni, KQZ kërkon që ndaj kësaj kompanie të merren masa sipas Nenit 99 paragrafi 2 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP). Ky nen specifikon qartë sanksionet për operatorët që përfshihen në mashtrim, falsifikim apo prezantim të rremë.

“Andaj në pajtim me dokumentet dhe dëshmitë e lartcekura mendojmë që janë plotësuar kushtet ligjore… Autoriteti Kontraktues/KQZ paraqet kërkesë për diskualifikim pranë OSHP-së të operatorit ekonomik OE Infinit shpk,” thuhet në kërkesën e nënshkruar nga Nekaj, të siguruar nga Insajderi në OSHP.

Edhe pse dosja me prova për mashtrim ndodhet tashmë në sirtarët e “Gjykatës së Tenderëve”, deri më tani nuk rezulton të jetë marrë ndonjë vendim nga OSHP-ja për t’ia ndaluar pjesëmarrjen në tenderë kësaj kompanie, pronari i së cilës tashmë përballet me drejtësinë edhe për vepra të tjera, shkruan Insajderi.

Gazeta Insajderi ditë më parë raportoi se si një ditë pas arrestimit të biznesmenit Visar Krasniqi, Komuna e Drenasit i kishte dhënë tender për furnizim me pajisje të teknologjisë kompanisë së tij, “Infinitt SH.P.K”.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik gjatë këtij viti ka prezantuar një pasqyrë mbi aktivitetet e zhvilluara në prokurimin publik. Në bazë të këtij raporti nëntë-mujor, figuron se kompania me numrin më të madh të kontratave përgjatë këtij viti është INFINITT SHPK.

Kompania e Krasniqit ka marrë 143 kontrata, me një diferencë prej afro gati 100 kontrata më shumë sesa kompania e dytë në listë- Europrint Group, e cila ka marrë 54 sosh. /Gazeta Insajderi/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark